Për gjykatën, PD dhe demokracinë

0 1,876

RUDINA HAJDARI

Nuk ka asnjë precedent, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë historinë moderne të politikës që kryetari i një partie politike të vendoset nga Gjykata.

Ndaj kjo që po ndodh në Shqipëri me fatin e Partisë Demokratike meriton vëmendjen e të gjithë shoqërisë.

Si parim, partitë politike janë bashkime vullnetare njerëzish, të cilët ndajnë së bashku të njëjtat pikëpamje, ideale dhe vizion politik dhe që vendosin të bashkohen nën një sigël për të realizuar vizionin e tyre me ardhjen në pushtet. Duke qenë i tillë, edhe mekanizmat drejtues të Partive politike përcaktohen nga bashkësia e anëtarëve dhe kurrsesi nga organet e tjera të shtetit. Logjika mbas këtij përcaktimi është se kjo bashkësi, e cila ka zgjedhur të bashkohet vullnetarisht, ka monopolin e të drejtës së përzgjedhjes së mënyrës se si drejtohet dhe nga kush drejtohet. Ky monopol është i shenjtë dhe është një nga bazat e sistemit demokratik.

Edhe në Rusinë e Putinit, liderët e opozitës mund të prangosen, mund të dhunohen nga policia, por kurrsesi të përcaktohen me vendime gjykatash.

Futja në lojë e gjykatave si arbitër për përcaktimin e drejtuesve të partive, sjell çimentimin e një sistemi autokratik, i cili përveçse grabit paratë dhe pasurinë publike nëpërmjet skemave korruptive, tani kërkon edhe të përcaktojë se me kë do ta zhvillojë garën elektorale duke shpërfillur zërin dhe vullnetin e dhjetëra mijëra anëtarëve të Partisë Demokratike. Është një hile elektorale sa banale, aq edhe e pështirë, por mbi të gjitha shumë e rrezikshme si precedent.

Për sa më sipër, procesi që po ndodh në Gjykatën e Apelit është i dënueshëm dhe mbi të gjitha është duke dëmtuar rëndë sistemin demokratik, i cili edhe kështu është shumë i brishtë në Shqipëri.

Partia Demokratike nuk është pronë e kryetarit të saj. Përgjatë ekzistencës së saj, ajo parti ka pasur shumë kryetarë. Ajo u themelua si një përpjekje heroike e studentëve të dhjetorit, të drejtuar nga Azem Hajdari, për të instaluar pluralizmin në Shqipëri dhe ishte partia e parë politike që sfidoi në garë elektorale ish-Partinë e Punës. Partia Demokratike hodhi themelet e shtetit modern, ka kryer reformat e para më të rëndësishme, ka mundësuar hapjen e kufijve, heqjen e vizave, anëtarësimin në NATO e plot arritje që shqiptarët i gëzojnë sot.

Trajtimi që po i bëhet sot nga ana e gjykatës, e cila po kërkon të imponojë lidershipin e Partisë, është një fyerje që i bëhet historisë së Shqipërisë në radhë të parë dhe të gjithë shqiptarëve. Fyerja bëhet më e madhe kur kupton se personat e interesuar për ta marrë në tavolinë e me hile drejtimin e PD, janë ata që i kanë sjellë dëmet më të mëdha asaj.

Lulzim Basha e nxori nga sistemi politik PD duke e trajtuar Partinë më të madhe dhe historike shqiptare si një grupim terrorist. Bojkotoi parlamentin, për formimin e të cilit rrezikuan jetën ish-studentët e dhjetorit, bojkote zgjedhjet lokale duke i nxjerrë në rrugë të gjithë demokratët dhe duke i dhënë 100% të pushtetit Edi Ramës.

T’ia japësh me vendim Gjykate atë që demokratët ia hoqën me votë, është një akt vandal ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes.

Sigurisht që sot PD është në udhëkryq. Partia ka nevojë të reformohet, të afrojë rreth vetes figura të reja dhe tu japë mundësinë të shpalosin aftësitë e tyre drejtuese.

Partia ka nevojë të institucionalizojë edhe më shumë garën, duke krijuar rregulla dhe shina të qarta për këdo që do të garojë, duke shmangur parregullsitë apo manipulimin.

Berisha duhet të tregojë se cili është vizioni i tij për të ardhmen dhe se si ai do të krijojë mundësitë për të lejuar kultivimin e lidershipit të ri në PD që do të pasojë atë.

Partia ka nevojë urgjente për një frymë të re bashkëkohore e në format e organizimit, mënyrës së komunikimit dhe trajtimit të çështjeve politike.

Ama, asnjë nga këto probleme nuk mund të jetë shkak që kryetari i saj të vendoset nga Gjykata. Kryetarin, mirë apo keq, e vendosin vetëm anëtarët e PD me votën e tyre dhe askush tjetër.

Prandaj, në 3 mars, unë do të jem të Gjykata e Apelit. Do të jem aty si një qytetare e thjeshtë, për të ngritur zërin tim ndaj kësaj shëmtie politike që po gatuhet në ato korridore, e ku po kërkohet që të shkelet me këmbë historia për hir të fitimit me hile të një gare lokale elektorale.

Do të jem aty edhe për tim atë, i cili dha jetën e tij për pluralizmin dhe lirinë e shprehjes. Do të jem aty sepse padrejtësia nuk mund të institucionalizohet në zyrat e Gjykatave pa u vënë re.

Leave A Reply

Your email address will not be published.