Nga LUÇIANO BOÇI
Takoj njerëz që flasin për kërcënimin me bukën e gojës që u bëjnë anonimët politikë të maxhorancës. Takoj qytetarë e fermerë, të cilët jetojnë me frikën e ndëshkimit edhe për një gjumë në mediat sociale, për një shtrëngim dore me përfaqësues të opozitës, njerëz që janë kthyer në shënjestra të urrejtjes klasore.
Sa e verbër duhet të jetë një klasë politike që ta ulë garën e ideve në këtë nivel? Sa dogmatik duhet të jetë një grup politik që përfundon të sillet kësisoj kundër banorëve të vendit të tij? Çfarë duhet të ndodhë që një zyrtar i shtetit të mendojë se asistencën dhe ndihmën ekonomike dikujt nuk ja jep vullneti personal i një të emëruari politik por ligji dhe vetëm ligji? Si mundet një zyrtar t’i kërkojë dikujt të marrë peng njerëzit e familjes, të fisit, të burrit dhe të gruas, në shkëmbim të pagës së pamjaftueshme dhe të vendit të punës? Disa muaj përpara zgjedhjeve, një masakër morale ka nisur në shkallë vendi dhe socialistët kanë vendosur të shënjojnë një tjetër rekord të turpshëm në dhunimin e të gjithë kushteve dhe standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Unë pres që përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare dhe OSBE/ ODHIR të angazhohen në mënyrë të menjëhershme në mbrojtje të këtyre standardeve dhe të dënojnë premisat e një krimi zgjedhor që shqiptarët e njohin tashmë shumë mirë. Unë pres që shoqëria civile të zgjedhë rrugën e parandalimit të kësaj ploje, duke regjistruar të gjithë ata që janë gati të flasin – hapur ose në kushtet e anonimitetit – për të denoncuar veprime të kundërligjshme që rrëzojnë barazinë e shtetasve para ligjit dhe deformojnë demokracinë dhe të drejtën e njerëzve për të zgjedhur.
Unë pres që mediat të mbështesin qytetarët në betejën e tyre për të rehabilituar instrumentet që u garantojnë të drejtat themelore dhe promovojnë dinjitetin e tyre si shtetas dhe si taksapagues. Kjo fazë delikate e zhvillimit të ngjarjeve politike përkufizon pozitat e secilit në raport me shtetin ligjor. Në qoftë se e kemi seriozisht, le t’i përgjigjemi seriozisht kësaj sfide. Institucionet dhe shteti janë mbi partitë dhe mbi interesin e ngushtë të individëve me pushtet të përkohshëm.