Nëse dhimbja shfrytëzohet si një mundësi për një selfie…

0 1,560

Ka raste kur kapërcehen vërtet të gjitha kufijtë e mirësjelljes vetëm për një selfie. Shumë njerëz donin të kryenin homazhe në Campidoglio, për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit të famshëm italian Maurizio Costanzo, që vdiq të premten e kaluar në moshën 84-vjeçare.

Të pranishëm ishin fëmijët dhe partnerja e tij, Maria De Filippi, një tjetër figurë e njohur televizive në Itali.

Disa njerëz iu afruan asaj për t’i shprehur ngushëllime dhe për t’i dhënë dorën. Fatkeqësisht pati nga ata që shkuan më tej, duke ngatërruar vendin ku jepen ngushëllime me një studio televizive, dhe i kërkuan Maria De Filippi-t një selfie, të cilën ajo e pranoi me dashamirësi.

Por ky gjest ka ngjallur zemërim dhe shumë polemika në rrjetet sociale.

Vendi i papërshtatshëm për një selfie

Disa fytyra të njohura i dhanë lamtumirën e fundit Costanzo-s. Midis tyre edhe dy talente të zbuluara dhe të mbështetura nga gazetari i ndjerë si Giobbe Covatta dhe Enzo Iachetti, të cilët mbërritën së bashku. Dhe të dy u larguan pa u ndalur për të folur për mediat e pranishme.

Ndër të tjera homazhe kryen edhe Antonella Elia, presidente e shoqatës së producentëve televizivë Giancarlo Leone, Rocco Casalino dhe Raimondo Todaro. E pranishme ishte edhe Maria De Filippi së bashku me Gabrielen, djalin e birësuar së bashku me Costanzo-n, që ishte dukshëm shumë i tronditur nga vdekja e të atit.

Në shumicën e rasteve, bashkëshortja synonte që të ngushëllonte djalin e saj, në një përpjekje amësore për të dhënë më parë ngushëllime të tjerëve, në vend se t’i kërkonte apo merrte vetë. Ishte me gjasë e njëjta ndjenjë bujarie, ajo që i dha forcë Maria De Filippi-t të ndalonte për pak sekonda me admiruesit e saj, që kishin mbërritur atje për t’i dhënë lamtumirën gazetarit të njohur, të shtrëngonte shumë nga duart që iu zgjatën, dhe të bënte me dashamirësi edhe disa selfie me ta, madje me një buzëqeshje të ndrojtur, dhe duke e “huazuar veten” për të bërë një foto së bashku me ata që ndoshta e ngatërruan shtëpinë e funeralit me një studio televizive.

Reagimet e forta në rrjetet sociale

Rrjetet sociale, pikërisht vendi ku selfit kanë “shtëpinë” e tyre të preferuar, u indinjuan shumënga gjesti i papërshtatshëm që i kërkonte një selfie partneres të të ndjerit që kishte vetëm pak orë që kishte ndërruar jetë. Të gjithë u solidarizuan me De Filipin, duke vlerësuar dinjitetin dhe sjelljen e saj rafinuar, që arrin të kuptojë të tjerët edhe në momente kur natyrshëm duhet të ndodhë e kundërta.

“Kjo është fytyra e dikujt që donte të bënte një selfie me Marian… Kushdo që e njeh duhet ta shmangë atë. Përgjithmonë”- shkroi Rita Dalla Chiesa në Twitter. Por komenti i saj është vetëm një nga reagimet e shumta që kanë stigmatizuar ata që edhe përballë zisë nuk kanë hezituar të kërkojnë të pa kërkueshmen.

Dhe jo vetëm Rita Dalla Chiesa. Shumë personazhe të tjerë të njohur në Itali e denoncuan këtë gjest. Kërkesa për një “selfie në shtëpinë e funeralit” u gjykua si shumë ndërhyrëse edhe nga gazetari Andrea Pennacchioli, i cili shkroi “Sapo pashë dikë duke bërë një selfie me Maria de Filippi-n gjatë funeralit të Maurizio Costanzo-s. Ky akt është ilustrimi më i qartë i dekadencës morale të një brezi të tërë”.

Gjesti i selfit në një moment të papërshtatshëm, ka ngjallur reagime të forta edhe tek njerëzit e thjeshtë:“Mos jeni rritur si kafshët që i kërkoni Maria de Filipit një selfie në këto rrethana?Gjatë funeralit, përballë arkivolit të bashkëshortit. Një çmenduri!”– thuhet në njërin prej komenteve. / bota.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.