Miratohet akti normativ/Vrasjet nga Policia e Shtetit, pensioni sa 8-fish i ndihmës sociale

0 199

Është miratuar akti normativ i qeverisë për vrasjet nga Policia e Shtetit, ku thuhet se familja do të marrë pensionin e ndihmës sociale mirëpo 8 fish më të lartë. Ndryshimi i ligjit erdhi menjëherë pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë së Shtetit, ndërkohë që qeveria e konsideroi vrasjen aksidentale, dhe akordoi një pension të posaçëm për familjen e tij.

”Vdekja aksidentale e të riut, por edhe raste të tjera të ngjashme që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës së organeve ligjzbatuese, përveç dhimbjes për humbjen e personit të familjes, krijojnë edhe vështirësi të natyrës ekonomike për familjen e tij. Duke marrë në konsideratë moshën aktive për punë, dhe po ashtu faktin se mund të jenë kontribuues në të ardhura në familje shikojmë të nevojshme dhënien e një ndihme financiare familjes përkatëse”, thuhet në relacionin e qeverisë.

Nga ana tjetër, theksohet se humbja e jetës aksidentalisht, nga një veprim i punonjësit gjatë ushtrimit të detyrës, përveç të tjerave vë në vështirësi financiare familjen dhe e çon atë në varfëri sidomos në rastet kur pjesëtarët e familjes janë në moshë të thyer apo në moshë minorene.

”Familja, e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social. Trajtimi i veçantë financiar dhe anëtari që përfiton në emër të familjes, përcaktohet me vendim individual të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga buxheti i shtetit”, thuhet në amendamentin e paraqitur nga Qeveria për miratim nëpërmjet këtij akti normativ.Sipas përcaktimit të mësipërm, familja e të ndjerit përfiton trajtim financiar në masën e tetëfishit të pensionit social (afërsisht 61 000 lekë në muaj) dhe është mbi nivelin e pagës mesatare duke kompensuar mungesën e të ardhurave për familjen nga humbja e jetës. Vendimi i qeverisë ka shkaktuar përplasje të forta dhe kjo për faktin se vrasja Rashës u cilësua si aksidentale në vendimin për dhënien e masës së pagesës. Por në këtë relacion theksohet se termi aksidental nuk i pengon organet e drejtësisë të kryejnë hetimin nëse vepra penale është kryer me dashje ose jo. Termi “aksident” që përdoret në legjislacionin e sigurimeve të kompanive private u përfshi pikërisht në legjislacionin e sigurimeve shoqërore që kryhet nga shteti, si një terminologji e përdorur gjerësisht në këtë fushë. Pra, humbja e jetës konsiderohet aksidentale por jo veprimi i punonjësit të organeve ligjzbatuese, pasi kjo i takon organeve të drejtësisë që të përcaktojnë nëse vepra penale është kryer me dashje ose pa dashje, nga pakujdesia, me paramendim ose jo etj”, thuhet në këtë relacion.

Leave A Reply

Your email address will not be published.