Të padukshmit e Maqedonisë së Veriut

0 303

Maqedonia e Veriut nuk ka shifra të sakta të qytetarëve që janë pa shtetësi, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre që thonë se nuk kanë shtetësi, kanë lindur në këtë shtet dhe jetojnë në Maqedoni të Veriut. Njëri nga ta është Driton Sherifi, 39-vjeçar, i cili ka lindur dhe punon në Kumanovë, por pa u pajisur me dokumentin e shtetësisë, ai për sistemin mbetet i padukshëm. Dritoni tregon për radion ”Europa e Lirë”, se me vite ka bërë kërkesa në departamentin për punë të brendshme dhe ka siguruar edhe dokumentet e nevojshme, në mënyrë që ta fitojë shtetësinë, por, siç thotë ai, shtetësia i është mohuar pa asnjë shpjegim.

Ai është detyruar që fëmijët t’i regjistrojë me mbiemrin e bashkëshortes, që të paktën ata të mos kenë probleme me shtetësi dhe të mund të vijojnë shkollimin. ”Djali im i madhi tash i bën 17 vjet, por ende e mban mbiemrin e bashkëshortes. Përpara s’kam mundur të kurorëzohem me bashkëshorten sepse nuk posedoj letërnjoftim”, thotë Dritoni. Ai shton se ndonëse me vite të tëra punon si mekanik, stazhi i tij i punës nuk njihet, pasi ai nuk posedon dokumente.

”Së fundmi, jam lodhur. Derisa kërkoja që ta marr shtetësinë e Maqedonisë para tetë vjetësh, pasi e mblodha dokumentacionin e duhur, plotësova të gjithë formularët, kur erdhi puna t’i dorëzoja dokumentet më thanë ‘jo s’mund ta marrësh shtetësinë, kjo është procedurë e gjatë. Unë i dhashë paratë e fundit që t’i mbledh të gjitha dokumentet e duhura për shtetësinë”, tregon ai.

Afrim Sefedini, në të dyzetat, ka arritur ta marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut pas shumë kërkesash të bëra për më shumë se tri dekada. Ai ka lindur në Maqedoni të Veriut, por prindërit i ka nga Kosova. ”Nuk u jepet shtetësia fëmijëve sepse thonë se prindërit tuaj nuk kanë lindur në Maqedoni, megjithëse ata shkollimin e kanë kryer këtu. Na është thënë se nëse asnjëri prind nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ne nuk mund të marrim vendqëndrim”, thotë Afrimi. Ai tregon se shtetësinë maqedonase, për dallim nga anëtarët e tjerë të familjes, ka arritur ta sigurojë përmes bashkëshortes, e cila është shtetase e Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, parti këto shqiptare në opozitë, kanë iniciuar një nismë për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit sigurohet shtetësia në Maqedoni të Veriut. Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare po synon që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë maqedonase, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.