Emri Dua mund të jetë Sara dhe Anxhela e ardhshme

0 320

Sara dhe Anxhela janë përfaqësueset e denja për emrat e fëmijëve të lindur pas viteve ’90, prindërit e të cilëve u mahnitën nga televizioni italian apo filmat dhe muzika amerikane. Kështu, siç e kemi përmendur në një tjetër artikull, me vendosjen e demokracisë, shqiptarët i dhanë lamtumirën Shpresës, Linditës, Bardhës, Dritës, Lirisë dhe mirëpritën Anxhelën, Sarën, Anën, Ambrën, Stelën, Paolën, Inën, Klean, Laurën, Emin, Xhenin etj.

Po më pas?

Më pas, nisi trendi për të vendosur emra hebre me domethënie të veçantë, si: Ameli, Amris, Gabriel apo Joel. Të përhapur u bënë edhe emrat biblikë, si Noah.

Po tani?

Kohëve të fundit, personazhet e njohur kanë përzgjedhur më së shumti emra shqiptarë ose fjalë që kanë një kuptim të caktuar në shqip. Përmendim këtu Zërin, djalin e Elita Rudit dhe Gjikos, Ajkën, vajzën e Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallakut, Zahon, djali i Edi dhe Linda Ramës, Kajanin, djali i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Ajola Xoxës. Të tjerë emra shqiptarë (ose fjalë të cilat shënjonjtë diçka në shqip) që VIP-at zgjodhën për fëmijët: Ambla, Akid, Bind, Bora, Kroni, Kroi Art, Era Buna, Jon, Boiken, Glauk, Krena, Ajër, Stina, Hana etj.

A është i përhapur emri Dua?

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave (deri në vititn 2017), ka “më pak se 10 persona me emrin Dua”.  Dua Lipa është tashmë një popstar, që do të thotë se jo pak njerëz do të frymëzohen nga emri i saj, siç po ndodh realisht. Dua ka të gjithë gjasat të kthehet në një emër të përhapur sepse frymëzohet nga një yll i muzikës dhe në të njëjtën kohë ka domethënie në shqip.

Kujtojmë se djali i Miriam Canit dhe Alban Skënderajt quhet Duam. Vërtet mund të jetë frymëzuar nga kënga e tyre me të njëjtin emër, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të ketë ndikuar sadopak Dua Lipa. Po kështu, Erion Isai tregoi për ABC-ja e pasdites” se ai dhe bashkëshortja dëshironin që vajza e tyre e dytë të quhej Dua, por e ndryshuan paksa duke zgjedhur emrin E’dua.

Një tjetër dukuri që të bën të mendosh që vajzat me emrin Dua do të shtohen në Shqipëri është edhe fakti se Dua Lipa ishte frymëzimi për dhjetëra emra bebesh për vajza në Angli dhe Uells. Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare (ONS) (via BBC), foshnjat e quajtura Dua u dyfishuan në vitin 2019 në krahasim me vitin 2017, kohë kur Dua fitoi famë në Mbretërinë e Bashkuar.

ONS u shpreh se në vitin 2019, 126 bebe u quajtën Dua, ndërkohë që në vitin 2017 pas publikimit të “Be The One”, bebet që u quajtën Dua kapën shifrën 63. Emri Dua, pak kohë më parë ishte një emër i pazakontë në Britani, ndryshe nga vendet e Lindjes së Mesme ku është më i popullarizuar (nga gjuha arabe, Dua do të thotë “lutje”). Nëpër intervista, Dua është shprehur se emri i saj është shqiptar dhe ka kuptimin “love” (si folje jo si emër).

Leave A Reply

Your email address will not be published.