Analizë/Mallkimet e Ramës, vrasje çdo ditë. Policia “e verbër” ndaj bandave dhe luftës mes tyre (VIDEO)

0 280

“Krimi, krimi, krimi”. Me nerv, gjakënxehtësi dhe i çorientuar. Kështu shpërtheu disa kohë më parë kryeministri Edi Rama, kur u vu përballë fakteve se krimi ka tejkaluar vijën e kuqe dhe ka marrë peng Shqipërinë. Në 6 vitet e fundit janë shënuar mbi 386 vrasje. Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përpiqet që të minimizojë ngjarjet e fundit kriminale teksa promovon skuadrat “Shqiponja” nëpër Shqipëri, duke thënë se këtë vit kemi numrin më të ulët të vrasjeve. Shifrat flasin ndryshe.

Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota u izoluara për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid-19, u regjistruan 24 vrasje. Grupet kriminale kishin kohën në favor të tyre, që të mendonin për metodat të cilat kanë rezultuar më të sofistikuara. Mbi të gjitha autoritetet janë larg zbardhjes të së vërtetës. Grupet kriminale i kanë shfrytëzuar muajt e shtetrrethimit për të thurur plane. Në rreth 70 ditë nga kthimi në normalitet në të gjithë vendin u regjistruan 12 ngjarje kriminale, 4 prej të cilave me nga 2 viktima. Shqipëria renditet e treta në Europë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë. Numri më i lartë i viktimave nga vrasjet në 5 vitet e fundit është shënuar në 2016-n, me 99 humbje jete, duke zbritur në 68 përkatësisht në 2017 dhe 2018. Kurse në 2019 u vranë 75 persona. Vrasjet me dashje, në 58 në 2019 nga 51 në 2018, kanë shënuar nivelin më të lartë nga 2016.

Opozita thotë se Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot, prandaj sipas saj Shqipëria ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri që për ta është peng i krimit. A mund të parandalohen ekzekutimet mafioze? “Policia nuk ka pasur të drejtë të përgjojë dikë. Tani, duke pasur informacion të plotë për personat e dyshuar se kanë lidhje me krimin, duke bërë një dosje të plotë që do të vërë në pozitë të vështirë prokurorinë dhe gjykatën, mendojmë se lufta kundër krimit të organizuar do të jetë më efikase”, shpjegonte asokohe ish-zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda. Fjalën e kemi për OFL-në e famshme, që shfaqet në ekranet tona përmes zëdhënëses simpatike që lëshon letrat për të fortët që duhet të vetëdeklarojnë dhe justifikojnë pasuritë. Nëse deri më dje Policia nuk e kishte këtë mundësi, pra të drejtën të përgjojë dikë e që tashmë ka në dorë emrat e të fortëve dhe të personave që kanë probleme me drejtësinë, pse nuk i parandalon ekzekutimet apo mallkimi i Ramës “hëngshin kokat”, mbetet në fuqi? Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët? Pra një polici që ngrihet në këmbë kur situata i del nga kontrolli dhe bën propogandë?

Policia ka qenë në dijeni se 71-vjeçari Lutfi Zhudri ishte tip problematik dhe një rrezik për banorët që jetojnë në pallatin tek lagjja “11 Nëntori” në Elbasan. Letrat drejtuar autoriteve vendore por dhe policisë, si dhe dëshmitë e banorëve tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishin marrë parasysh. Nëse policia nuk shfaqur interes për këtë rast, si do të mundet ajo të luftojë me bandat? Rreziku nga vrasjet, dhuna ndaj fëmijëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna seksuale është i rëndësishme për t’u adresuar. Për të trajtuar këto sfida dhe për të ndërtuar një shoqëri më paqësore, duhet të ketë ligje më efikase dhe transparente të vendosura dhe buxhete realiste të qeverisë. A ka zgjidhje? Ekspertë të fushës së krimit, japin disa zgjidhje që do të qetësojnë situatën. Ndërhyrje e menjëhershme me politika social-ekonomike lehtësuese dhe favorizuese për zonat më të prekura nga veprimtaritë e krimit të organizuar, si dhe ato më të largëta dhe vulnerabël. Forcimi i bashkëpunimit agjensi shtetërore-shoqëri civile për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e krimit të organizuar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.