Ceremonia e ardhshme çmimeve Oscar do të ketë një ndryshim madhor

0 424

Për herë të parë në histori, Akademia do të lejojë nominimin e filmave që nuk janë shfaqur në kinema por në shërbime streaming si Netflix, Hulu, HBO, Amazon Prime etj. Kriteret për filmat që mund të nominohen u bënë publike sot përmes një deklarate për shtyp. Ndryshimi nuk do të jetë i përhershëm dhe do të vlejë vetëm për filmat e publikuar këtë vit. Përzgjedhja e të nominuarve për Oscar u vu në pikëpyetje pasi izolimet dhe distancimi social shkaktuan anullimin e festivaleve të filmit si ai i Kanës apo South by Southwest dhe mbylljen e kinemave.

Më parë, një film duhej të shfaqej për të paktën shtatë ditë në kinema në Los Angeles që të merrej parasysh për një çmim Oscar. Tani, filmat e planifikuar për t’u shfaqur ne kinema por që u ngarkuan në shërbime streaming, janë njësoj të përzgjedhshëm. ”Akademia beson se magjia e filmave përjetohet duke i parë në kinema. I qëndrojmë të palëkundur këtij besimi,” tha presidentja dhe CEO e Akademisë, Dawn Hudson, në një deklaratë. “Sidoqoftë, pandemia tragjike e Covid-19 kërkon anullimin e përkohshëm të rregullave”.

Në momentin që kinematë do të hapen, gjithçka do të kthehet në normalitet. Nëse kinematë hapen në verë, siç parashikohet, atëherë Akademia do të cilësojë edhe kinema të tjera në New York City, Chicago, San Francisco, Miami dhe Atlanta si të certifikuara për të shfaqur filma pretendentë për nominime Oscar. Ky ndryshim ka qenë objekt debati për një kohë të gjatë, pasi Netflix, Amazon dhe shërbime të tjera streaming, shpenzojnë milionë në fushata për Oscar për filmat e tyre origjinalë. Për të plotësuar kushtet e Akademisë, Netflix i shfaq filmat dhe në kinema, dhe në platformë.

Gjithashtu, Akademia kreu dhe disa ndryshime të tjera. Kategoritë e miksimit të zërit dhe montazhit të zërit do të shkrihen në një kategori të quajtur arritja më e madhe në zë, për të theksuar punën në grup. Të gjithë anëtarët e Akademisë do të kenë të drejtë të votojnë në raundin e parë të filmit ndërkombëtar, kategori që më parë njihej si filmi më i mirë në gjuhë të huaj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.