Biberaj: Deklarata e Vuçiç provokuese, Rama e faktorizoi tezën e tij

0 311

Ish-zv.president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj thotë se qeveria shqiptare ka bërë gabime në politikën e jashtme sa i takon trajtimit të çështjes së Kosovës, kurse nismën për të miratuar rezolutë në Parlament e cilëson përpjekje për të fituar vota.

”Hapja e kësaj çështjeje nga mazhoranca aktuale kuptohet që është me qëllime të mirëfillta politike sepse kemi një kryeministër që ka qenë iniciator bashkë me presidentin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Kështu që është komplet hipokrizi dhe bëhet për qëllime politike. Kjo mazhorancë ka 7 vite në qeveri, pse nuk e bëri më përpara 4 apo 5 vitesh?”, tha Biberaj për ”euronews”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka faktorizuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç që sipas tij në asnjë rast dhe rrethanë nuk duhej të popullarizohej. Biberaj qëndrimet e Ramës nga pikëpamja diplomatike i cilësoi komplet të papërgjegjshme. ”Aleksandër Vuçiç ka qenë ministër Informacioni në qeverinë e Millosheviçit dhe është një trashëgimtar i politikës së tij. Teza serbe është një tezë tinëzare. Ata thonë që ne nuk kemi problem me shqiptarët e Shqipërisë, në problemin e kemi me shqiptarët e Kosovës sepse atje ka qenë një organizatë terroriste që është ushtria çlirimtare e Kosovës”,-tha ai.

Ai e cilësoi si provokim deklaratën e bërë nga Vuçiç së fundmi ku krahasoi konfliktin e Serbisë me Kosovës të ngjashëm me atë të Armenisë dhe Azerbajxhanit për çështjen Nagorno-Karabak. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së nga ana tjetër thekoi se, qeveria e drejtuar nga Rama ka zhbërë dhe një traditë sa i takon çështjes kombëtare, ku qëndrimet kanë qenë të unifikuara. Përveçse nismë për kapital politik, Biberaj tha se kjo nismë është dhe një sulm ndaj opozitës në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.