Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina nuk ka marrë “asnjë cent” për planin e saj të rimëkëmbjes emergjente prej 17 miliardë dollarësh.
“Rusia shkatërron gjithçka për ta bërë më të vështirë për ne të mbijetojmë këtë dimër, në mënyrë që Ukraina të mos mund të rimëkëmbet nga kjo luftë për aq kohë sa të jetë e mundur, në mënyrë që ne të mos mund të integrojmë potencialin ekonomik të Ukrainës”, tha Zelensky.
Duke iu drejtuar një konference mbi rindërtimin e Ukrainës, ai zbuloi se raketat ruse dhe dronët e prodhuar nga Irani kanë shkatërruar më shumë se një të tretën e sektorit energjetik të vendit të tij.
Sipas mediave të huaja, presidenti ukrainas bëri thirrje për më shumë mbështetje ushtarake, si dhe ndihmë financiare për të ndihmuar Ukrainën të kalojë dimrin dhe që vendi të rindërtohet pas luftës.
“Agresori le të shohë se qëllimi i tij është i paarritshëm”, shtoi ai.