Vret veten në paraburgim, gruaja e 52-vjeçarit: E lashë në dorë të policisë. Dua drejtësi

0 405

Të hënën u përcoll drejt banesës së fundit. Familja e kishte denoncuar për dhunë dhe mbrëmjen e së shtunës, 52-vjeçari Tonin Tuci u vetëvra në dhomat e komisariatit të Durrësit. Të bindura që vëllai i tyre nuk ka bërë vetëvarje me lidhësen e tutave, motrat e 52-vjeçarit apelojnë për drejtësi, ndërsa bashkëshortja tregon orët e fundit me Toninin, që nga sherri me të, ndërhyrja e policisë për të shmangur acarimin e mëtejshëm të situatës në familje dhe njoftimi që mori për vdekjen e tij.

”Ishte i acaruar nën efektin e alkolit dhe për të eliminuar një sherr të mundshëm në shtëpi, njoftova policinë se nuk po e qetësoja dot. Kur shkova në polici, shefi që ishte në shërbim më thotë të marr urdhër mbrojtjeje, por i thashë jo se nuk dua ta hedh burrin në rrugë. I kërkova që vetëm ta mbajë në polici e të qetësohet për disa orë e të vijë në shtëpi. Dhe pse më kërkoi disa herë nuk pranova. Lamë të dhënat tona, numër telefoni dhe u larguam. Në momentin që jam larguar, rreth orës 6 të pasdites, burri im ishte ulur në stolat e hyrjes kryesore të policisë. E lashë në dorë të policisë. Unë e çova për ta mbrojtur jo për ta dhunuar se e keqja do kishte ndodh në shtëpi”.

Familja Tuci me origjinë nga Fani i Mirditës, prej shumë vitesh jetonte me qira në Durrës. I papunë, Tonin Tuci kishte krijuar varësi ndaj alkolit dhe rritur tensionet brenda familjes. Edhe një vit më parë Liza kishte kërkuar ndihmën e policisë, por pa e kallëzuar penalisht për dhunë në familje babain e dy djemve të saj, pasi e donte pavarësisht problemeve që kishte me të në familje.

Nga ana tjetër, bashkëshortja tregon edhe telefonatën ku i treguan për vdekjen e burrit. ”Unë e doja burrin tim, pavarësisht se ai pinte vazhdimisht. Në orën 11:00 të natës, ndërsa unë prisja të vinte burri në shtëpi më morën në telefon e më kërkuan të dal e të jap një deklaratë të dytë. Pse? Jo i them. Nuk dal në rrugë, eja në shtëpi. Përpara kësaj e pyes: Si është Tonini? Mirë më tha, po kur vjen në shtëpi më thotë: Të rrojnë çunat se Tonini ka vdekur. Unë s’mund ta besoja. E vërtëta është kjo, si e kamuflojnë ngjarjen është punë e tyre. E ka drejtësia në dorë. Ai donte alkoolin, po jo të vriste veten”. Motrat e 52-vjeçarit hedhin dyshime mbi fundin e trishtë dhe apelojnë që të zbardhet sa më shpejt e vërteta dhe të bëhet drejtësi. ”Ai nuk ka pas asnjë arsye me var veten. Na ka ardh bombë. Ai ka pas pi, po ka qenë shumë i dashur, i respektueshëm. Nuk e di si ka ndodh ngjarja tamam”.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, për vetëvrasjen e 52-vjeçarit brenda komisariatit të Policisë në Durrës ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, bën me dije se ka nisur hetimet për dy punonjës policie. Familjarët e Tucit kërkojnë që çështja të hetohet edhe nga Avokati i Popullit për të zbardhur shkeljet dhe ngjarjen e rëndë që çoi në vdekjen e 52-vjeçarit në paraburgimin e Durrësit. Nga hetimet paraprake, SHÇBA-ja thekson se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe akti i vetëvrasjes është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.

”Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimin për dy punonjësit që ngarkohen me përgjegjësi për menaxhimin e situatës. Në hetim për shpërdorim detyre janë vendosur; A.Ç në funksionin e ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës; G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit menjëherë ka nisur hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësitë në zbatimin e procedurave standarde”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.