Shqiptarët po ndëshkohen më shumë se serbët që bën krime

0 345

Ajo që po ndodhë këto ditë në Kosovë nuk ka precedentë në asnjë shtet tjetër në botës. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kreu i opozitës, Kadri Vesli, Ish-kryeministri Ramush Hadarinaj, ish-kreu i Kuvendit Jakup Krasnqi, politikani Fatmir Limaj, deputeti Rexhep Selmi dhe një sërë drejtuesish të spikatur të luftës për çlirimin e Kosovës janë marrë të pandehur ose janë nën hetime për krime lufte.

Pafajësia e tyre do të provohet në gjykatë, por nëse sheh listën personave të thirrur kuptohet se nuk po kërkon fajtorë, por sebep për të bërë pisë gjithë luftën e UÇK-së. Shumica e njerëzve që luftuan me armë kundër ushtrisë çnjerëzore të Milosheviçit sot janë në bankën e të akuzuarve ose pritet të dalin në gjyq. Në asnjë shtet tjetër të ish-Jugosllavisë nuk ka ndodhur që heronjtë e një lufte të drejtë të gjykohen si kriminelë! Nëse janë kryer krime për ato ka përgjegjësi personale dhe nuk mund të akuzohen gjithë drejtuesit e luftës. Serbia dhe politikanët të vendit që kreu masakrat dhe bëri gjenocid etnik në mes të Europës, në vend të ndëshkohen si autorët dhe zbatuesit e racizmit anti-shqiptar, sot kanë marrë rolin e viktimave. Aleksandër Vuçiç ka qenë ministër i informacionit në regjimin e Milosheviçit. Ishte njeriu që deklaronte se për një serb të vrarë do të vrasim 100 shqiptarë apo boshnjakë. Sot ky njeri është president i Serbisë dhe flet për krime të shqiptarëve! Ivica Daçiç, Aleksandër Vulin dhe politikanë serbë që mbajnë poste kyçe prej dekadash, kanë qenë frymëzues të masakrave kundër shqiptarëve.

Gjeneralët serbë si Nebojsha Pavkovic, Sreto Milanoviç që kryen operacione shfarosëse në Kosovë dhe urdhëruan vrasjen e fëmijëve dhe grave jo vetëm nuk u ndëshkuan kurrë, por morën dhe grada të larta në hierarkinë e shtetin serb. Sot botojnë libra me kujtime, ku tregojnë si therën dhe përdhunuan gratë shqiptare dhe marrin pension për trimëri nga shteti serb. Mijëra dhe qindra çetnikë dhe oficerë të ushtrisë serbe janë ende në poste kyçe të forcave të armatosura dhe dëshmojnë në mediat dhe rrjetet sociale krimet e përbindshme që kanë kryer ndaj shqiptarëve. Askush nuk është kujtuar të nisë hetim ndaj këtyre njerëzve. Asnjë gjykatë ndërkombëtare speciale nuk është krijuar për të hetuar krimet që fsheh shoqëria serbe ndaj shqiptarëve. As ndërkombëtarët nuk i kanë venë kusht Serbisë ndëshkimin e tyre dhe gjetjen e mijëra shqiptarëve të zhdukur. Madje, sot askush nuk i sheh më serbët si problem, por gjithë peshën e fajit ua hedhin shqiptarëve, të cilët në fund të fundit ishin populli që rrezikonte zhdukjen.

Sigurisht u bë një gjyq kundër Sllobodan Milosheviç, por dënimi i tij nuk pastron krimet serbe ndaj shqiptarëve. Makineria e propagandës serbe kishte njerëz të tjerë veç Milosheviçit që sot janë në krye të shtetit dhe nuk kanë ndryshuar pikëpamje. Sot nuk urdhërojnë me fushata me tanke dhe reparte spastrimi etnik, por bëjnë gjithçka për të fituar betejën e viktimizimit dhe të nxjerrin shqiptarë si kriminelë. Falë luftës së brendshme politike në Kosovë dhe miopisë së politikës në Tiranë, për fat të keq duket se po ja dalin.

Mes qindra kriminelëve të luftës të Serbisë, sot për krime po akuzohen vetëm udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk kërkohen të bëhen pis vetëm emra të veçantë si Thaçi, Limaj dhe Krasniqi, por gjithë lufta e UKÇ. Kush mendon se ajo që ndodh në Hagë është vetëm një problem personal i politikanëve të akuzuar tjerëve duhet të dijë se më dënimin tyre njollohet një pjesë e historisë më të ndritshme të Kosovës dhe Kombit. Akuzat dihet që janë të sajuara dhe për këtë mjafton të kujtojmë se gjithçka bazohet në raportin e prokurorit pro-serb Dick Martin, i cili fantazonte për spitale imagjinare në Fushë-Krujë.

Pasi letrat janë hapur dhe gjithë klasa politike e Kosovës po shkon në Hagë, institucionet në Prishtinë dhe Tiranë duhet të hapin sytë. Dialogu me Serbinë, për mënyrë si është bërë deri më sot, ka nevojë të riformatohet. Sepse klasa politike e Kosovës po shkon e gjitha në Hagë si kriminelë lufte, ndaj Serbia po hap negociatat si vend normal dhe viktime e luftës. Prishtina dhe Tiranë, më shumë se kurrë kanë nevojë të koordinohen në një fushatë diplomatike për të çmontuar gënjeshtrat dhe për të mbrojtur dinjitetin e një lufte të drejtë. /Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.