Sauthemptoni trondit Sitin, Guardiola mendjen te derbi: Prisni çmenduri

0 178

Sauthempton-Mançester Siti, ndeshje e vlefshme për çerekfinalet e Kupës Karabao përfundon me fitoren 2-0 të “Shenjtorëve”. Kampionët e Anglisë ngrenë flamurin e bardhë në një ndeshje shumë larg pritshmërisë të tyre.

Skuadra e Xhons, e cila aktualisht është forca e fundit e Premier Ligës, lë pas rezultatet zhgënjyese të kohëve të fundit, duke gjunjëzuar skuadrën e Guardiolës pa asnjë mëshirë. “St. Mary’s” është i gjithi në mbështetje të tyre, ndërsa “Qytetarët” nuk dalin nga hija e tyre. Guardiola lë në stol Halandin dhe De Bryjnen, duke e pasur mendjen te derbi i Mançesterit në fundjavë. Dhe vendësit përfitojnë dhe gjejnë avantazhin e merituar në 23’ me goditjen vrastare të Maras. Siti është në shok dhe vetëm 5 minuta më vonë, Sauthemptoni shënon edhe golin e dytë me Xhenepo, me një parabolë fantastike nga distanca pas daljes së portierit Ortega. Në pjesën e dytë, Pep bën hapa pas duke hedhur në fushë Halandin dhe De Bryjnen, por tashmë është tepër vonë për të ndryshuar fatin e kësaj ndeshjeje: Siti nuk ka forcë reagimi, ndërsa menaxhimi i ndeshjes për vendësit është si një lojë fëmijësh.

DERBI – Pep Guardiola ka pohuar se një tjetër çmenduri taktike po i kalon nëpër mend përpara derbit të Mançesterit kundër Junajtidit të shtunën. Siti mund t’u afrohet në -2 pikë kryesuesve të Arsenalit me një fitore në “Old Trafford” këtë fundjavë, ku tekniku katalanas ka fituar 6 herë në 9 vizita. Trajneri i kampionëve të Anglisë luajti me dy mesfushorë si 9-ta false gjatë ndeshjes së Kupës Karabao me Junajtidin tri vite më parë, një taktikë që Kevin de Bryjne tha se lojtarëve iu deshën vetëm 15 minuta për ta perfeksionuar në stërvitje.

Guardiola është tifoz i çudirave taktike dhe gjatë transfertave me Liverpulin dhe Çelsin këtë sezon e ka përdorur Zhoao Kanselon si mesfushor të djathtë. Ai nuk ka përjashtuar se mund të ketë një tjetër surprizë nën mëngë, që mund ta përdorë të shtunën për të surprizuar skuadrën e Erik ten Hagut, e cila vjen pas një forme të shkëlqyer (8 fitore radhazi). “Unë nuk i kam parë ende ndeshjet e tyre të fundit. Më duhet të shoh se si ata luajnë në shtëpi dhe nëse ndryshojnë diçka. Më duhet ende ta rishoh. Prandaj nuk kam një formacion të qartë kundër Mançester Junajtidit. Do të doja të mbërrija në ndeshjen kundër tyre pak a shumë me mesataren e minutave në këmbë, sepse kam disa ide, mendime, disa ide të çmendura kundër Junajtidit”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.