Qendër e re shëndetësore në Peqin, Manastirliu: Testimi i shpejtë me rezervim nga mjeku i familjes

0 273

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, inspektuan qendrën e re shëndetësore në Pajovë, të Peqinit, e cila sapo ka përfunduar rehabilitimin e plotë, në kuadër të programit kombëtar të riundërtimit të 300 qendrave shëndetësore. Manastirliu tha se paçka situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e Covid-19, investimet në sektorin shëndetësor nuk kanë ndalur asnjë moment.

”Përgjatë muajve të pandemisë, pavarësisht sfidave të vërteta që kemi patur përsa i përket të gjithë situatës, ne ja kemi dalë që të mos ndalim punën tonë për investimet në sektorin shëndetësor. Kjo qendër ka qenë e degraduar, si kjo 300 qëndra shëndetësore në gjithë vendin apo shumë spitale, nuk mund t’a imagjinonim dot dhe nuk mund ta imagjinojmë as sot se si do të ishim përballur me Covid-19, nëse do të kishim atë sistem të degraduar që kishim 7 vite më parë. E ndërkohë që ne vijojmë transformimin e sitemit shëndetësor, vijojmë të përballemi me Covid-19 dhe puna e jashtëzakonshme në të gjitha ekipet tona shëndetësore nuk po ndalet në asnjë moment”, tha Manastirliu.

Duke u ndalur tek përballja me pandeminë, ministrja theksoi se testimi i shpejtë do të vijojë në të gjithë vendin dhe prej datës 20 dhjetor qytetarët do ta kryejnë atë nëpërmjet rezervimit tek mjeku familjes. “Testimi i shpejtë ka filluar në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, por nga data 20 dhjetor në do ta shtrijmë këtë testim edhe në qendra shëndetësore të mirëpërcaktuara, që do të mbulojnë një zonë të përcaktuar në komunitet, për të patur më shumë akses në testimin e shpejtë, për të bërë të mundur një kapje të shpejtë të rasteve sipas indikacioneve të mjekëve të familjes, të cilët nëpërmjet sistemit elektronik do të përcaktojnë orën e saktë të bërjes së testi të shpejtë në qendra shëndetësore. Do fillojmë me Tiranën, ku do të ketë 6 pika të caktuara për testimin e shpejtë në qendra shëndetësore, do të zgjerohemi në 10 pika në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se për 2021 do të vijojë rimbursimi 100% për trajtimin ambulator në banesë dhe me fondet e dedikuara të buxhetit të shtetit janë 12 milion dollarë të dedikuara vetëm për paketën e rimbursimit. Deputeti Taulant Balla është shprehur se qendra shëndetësore e Pajovës është rikonstruktuar pas 40 vitesh dhe ofron kushte me standarte për banorët e kësaj zone. ”Shqipëria reale është kjo pas nesh, ku vetëm para pak kohësh ne filluam punë për rikonstruksionin e saj, ishte një qendër shëndetësore ku nuk ishte vënë dorë prej 30-40 vitesh dhe arritëm që edhe këtë qendër shëndetësore ta kthejmë si shumë qendra të tjera në një qendër model”, tha Balla.

Leave A Reply

Your email address will not be published.