Pezullimi i zv/drejtorit të OFL-së, sinjalizimi erdhi nga partnerët e huaj

0 365

7 muaj pasi kaloi të tre filtrat e Vetting-ut, atë profesional, moral e për pasurinë, partnerët e huaj zbulojnë lidhjet e numrit dy të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi me dekonspirim të operacioneve dhe përfshirje në korrupsion.

Ky informacion i është përcjellë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, ku pas hetimeve të kryera ka kërkuar në GJKKO masën e pezullimit nga detyra. Vendimi i pezullimit të Artan Shkëmbit pak ditë më parë, i është përcjellë edhe kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që ia ka komunikuar Shkëmbit duke e zhveshur nga posti deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tij.

Hetimet janë ndjekur me metoda speciale ndërsa pritet që në përfundim të tyre të vendoset edhe për fatin e Shkëmbit që me këto akuza rrezikon një përballje të fortë me ligjin. Ky është hetimi i parë në nivele të larta drejtuese në Policinë e Shtetit ndërsa më herët Artan Shkëmbi ka mbajtur edhe postin e kreut të strukturës “Forca e Ligjit” që u shkri për t’i hapur rrugë “OFL-së”.

OFL prej janarit 2020 ka mbi 200 procedime të hapura mes tyre 80 kërkesa për sekuestrim pasurie, 9 për heqje sekuestro, 30 çështje për zgjatje të afateve të sekuestrove dhe 42 çështje për konfiskim pasurie ndaj personave të skeduar. Informacionet këto që kanë kaluar edhe nëpërmjet numrit dy të operacioni Forca e Ligjit, i cili nga kjo e hënë do të qëndrojë jashtë radhëve të policisë deri në përfundim të hetimit nisur ndaj tij për korrupsion e nxjerrje sekreti hetimor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.