Përmbytjet, Çako: Shqipëria me risk të lartë. Disa familje kanë ngecur, ka fshatra nën ujë

0 395

Shqipëria është një vend me risk të lartë sa i takon fatkeqësive natyrore, por duke u ndalur tek përmbytjet, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se janë marrë masa për të parandaluar këto situata. Këto masat u zbehën që me rreshjet e para, pasi që nga fillimi i javës pothuajse i gjithë territori është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim në disa bashki të vendit, të cilat kanë ftuar qytetarët të bëjnë kujdes nga vërshimet e mundshme të ujërave.

Më problematike situata është në Durrës, ku akset rrugore që lidhen tek stadiumi “Niko Dovana” janë përmbytur që gjatë natës dhe vijon që situata të jetë problematike. Në këtë qark janë përmbytur edhe disa shtëpi në zonën e ish-kënetës, ku uji ka ardhur deri në hyrjen e banesave të tyre private. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili thotë se ka dalë në rrugë në këmbë duke ecur në ujërat që i arrijnë deri tek gjuri.

“Jemi rreth 10 familje të përmbytura në zonën e ish kënetës dhe kjo situatë është e përsëritur sa herë që bie shi. Bëj thirrje të hapin sa më shpejtë tubacionet që të kalojë uji, kam 22 vite në Durrës që paguaj taksa dhe shteti të vijë të më përgjigjet, të krijojë kanalizimet”, tha qytetari. Situata problematike u krijuan në shëtitoren Taulantja, rrethrrotullimin e Stacionit të Trenit, Rrugën e Spitalit dhe akse të tjera. Në disa zona, uji arriti nivelin e trotuarit, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e këmbësorëve dhe mjeteve e për pasojë lëvizja në rrugë ishte kaotike.

Nga ana tjetër edhe në Kukës, reshjet e shiut kanë sjellë sërish rënie gurësh në rrugët e qarkut duke vështirësuar qarkullimin. Prefektura e Kukësit, përmes një njoftimi zyrtar, thotë se situata aktualisht është e qetë dhe nuk ka emergjencë. “Rrugët nacionale janë të qarkullushme normalisht, ka patur rënje inertesh në segmente të ndryshme, por firmat kontraktore po punojnë për mbajtjen në gatishmëri të tyre. Rrugët bashkiake janë të qarkullushme normal”, thuhet në njoftimin e Prefekturës Kukës.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar mungesë të energjisë në disa fshatra. Sipas prefekturës, defekte ka patur në linjën Zapod-Shishtavec dhe në linjën e furnizimit të fshatit Vilë të Njësisë Adminstrative Bushtricë. “Nga OSHEE është punuar për eleminimin e difekteve dhe aktualisht furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë qarkun Kukës”, thuhet më tej në njoftimin për mediet.

Përmbytjet u rikthyen edhe në Vlorë! Pas reshjeve intensive të mbrëmjes së të hënës, problematikat ishin të dukshme në rrugët e zonave periferike Në Fushë-Krujë disa hektarë tokë janë nën ujë, ndërsa disa fshatra rrezikohen nga përmbytjet si pasojë e prurjeve të shtuara në Lumin Ishëm. Probleme si pasojë e rrëshqitjeve të gurëve e dherave pati në Rrugën Elbasan-Librazhd dhe akset rurale në qarqet verilindore. Disa zona në të gjithë vendin u përballën me mungesë të energjisë elektrike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.