Bino: Maskat prej tekstili sigurojnë mbrojtje të mirë, ja kur nuk duhet mbajtur

0 371

Silva Bino, përgjegjëse e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se vendimi për maskat me detyrim është një masë në kohën e duhur për parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19. Bino nënvizon se mbajtja e maskës mbrojtëse duhet të shoqërohet me distancimin fizik.

”Mbajtja e maskës nuk përjashton distancimin fizik por vërehet se distancimi fizik nuk ruhet përherë njerëzit takohen, qëndrojnë shpesh afër, pa kuptuar e ruajtur atë. Njerëzit flasin me njëri-tjetrin në rrugë, shkojnë në zyra apo mjedise të tjera jashtë banesës ku mund të ndodhë transmetimi. Pasi transmetimi ndodh jo vetëm kur kollitesh apo teshtin, por edhe kur flet sidomos me zë të lartë, kur këndon, merr frymë etj, pra mbajtja e maskës është një mjet i rëndësishëm që pengon jo vetëm transmetimin e virusit nga një person që mund të jetë i sëmurë, por edhe parandalon marrjen e këtij infeksioni nga personi tjetër. Këto janë të dhëna që disponohen sot nga shumë studime”, tha Bino.

Bino thekson se një mbrojtje shumë të mirë mund të sigurojnë edhe maskat prej tekstili, të cilat mjafton të lahen dhe hekurosen dhe nuk kanë kosto. ”Kemi maskat kirurgjikale por dhe maskat mbrojtëse prej tekstili të cilat duhet të kenë dy ose më shumë shtresa, lejojnë frymëmarrjen dhe lahen e hekurosen dhe nuk kanë kosto, por që kanë treguar mbrojtje shumë të mirë”, nënvizon Bino.

Nga ana tjetër, ajo deklaron se fëmijët nën një moshë të caktuar, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë ta vendosin apo heqin maskën apo persona që kryejnë aktivitet fizik nuk mund ta mbajnë maskën gjatë aktivitetit fizik. Po ashtu Bino thekson se kur hamë dhe pimë nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.