Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do te jenë sot përballë njëri-tjetrit në Bruksel, ndërsa në duar mbajnë planin europian që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një plan që nuk negociohet dhe sot pritet nga dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, pranimi apo refuzimi i tij. Ajo që do të diskutohet dhe negociohet është mënyra se si do të zbatohet, afati për zbatimin e tij dhe mekanizmat për monitorimin e zbatimit.
Takimi i sotëm vjen pas javësh të tera diskutimesh ku nuk kanë munguar as kërcënimet për liderët që e vononojne apo refuzojnë këtë plan.
Perveç dy të ngarkuarve të BE dhe SHBA në proces u perfshinë intensivisht edhe këshilltarët e kancelarit gjerman, presidentit të Francës dhe kryeministres italiane. Po kështu SHBA angazhuan edhe këshilltarin e DASH, Chollet. Tashmë duket se dy liderët janë bindur për të panuar këtë plan i cili pritet të bëhet publik i plotë menjëherë pas takimit të sotëm.
I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Në një draft që është bërë publik parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Agresioni Rus në Ukrainë dhe frika se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet për të nxitur destabilizim në Ballkan, ka bërë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të shtojnë thirrjet dhe përpjekjet për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi gjatë fundjavës në telefon me udhëheqësit e të dyja vendeve duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin dhe pritjet që palët të kenë qasje konstruktive dhe të angazhohen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Po ashtu edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u kanë shkruar letra të përbashkëta kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, në prag të takimit, në të cilat thuhet mes tjerash se është urgjente të ecet përpara me synimin për ta përmbyllur marrëveshjen dhe për të siguruar zbatimin e saj.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe se ai mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.
Pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.
Gjatë ditës së sotme nuk pritet ndonjë nënshkrim i marrveshjes por vetëm diskutim për mënyrën e zbatimit. Nenshkrimi i saj pritet të bëhet në fund të muajit në një ceremoni ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Përveç zyrtarëve europian dhe amerikan në proces është përfshirë dhe Turqia. Pas takimit që zhvilloi me Albin Kurtin, presidenti turk Recep Taip Erdogan i ka telefonuar një ditë më parë dhe presidentit Vuçiç. Nuk ka shumë detaje rreth bisedës por ajo që bëri të ditur Vuçiç në rrjetet sociale tregon se në qendër të bisedës ka qenë vazhdimi i dialogut me Kosovën.
“Ne ramë dakord se gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe se do të japim një kontribut të fuqishëm në stabilitetin rajonal përmes forcimit të marrëdhënieve serbo-turke”, thuhet në njoftim e Vuçiç.
Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:
Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.
Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.
Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.
Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.
Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.
Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.
Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.
Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.