Britania e Madhe drejt shpërbërjes, gati shkëputja e Irlandës së Veriut dhe Skocisë

0 258

Nga Max Hastings “Bloomberg”

Ishte një francez, ai që deklaroi kohët e fundit se çdo komb ka problemin e tij të madh dhe historikisht të pazgjidhshëm. Për Francën, tha ai, ky problem është kundërshtimi popullor kokëfortë ndaj rritjes së moshës së pensionit, si një reagim ndaj jetëgjatësisë gjithnjë e në rritje. Për Gjermaninë, ajo është ende fantazma e Hitlerit. Për SHBA-në, janë armët. Ndërsa për Britaninë është Irlanda.

Javën e kaluar polemika të ashpra shpërthyen brenda Partisë Konservatore në pushtet për “ishullin tjetër të John Bull”, duke kërcënuar që ta rrëzojnë qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak. Për më shumë se 5 shekuj, sundimi britanik mbi Irlandën, sa i paaftë aq edhe mizor, shkaktoi një mjerim të madh për popullin irlandez, dhe solli kriza serioze ushtarake dhe politike në Angli.

Fakti që anglezët ishin një shoqëri protestante, ndërsa shumica e irlandezëve ishin katolikë, i përkeqësoi më tej gjërat. Deri në mesin e shekullit XIX-të, Anglia ishte në një gjendje konflikti pothuajse të përhershëm me Evropën Katolike. Më pas erdhi pavarësia e Irlandës në vitin 1921.

U duk sikur mosmarrëveshja u zgjidh në një farë mënyrë, pavarësisht nga hidhërimi i vazhdueshëm në të dyja anët e brigjeve irlandeze. Por në atë kohë u krye një gabim historik. Politikanët konservatorë e detyruan kryeministrin David Lloyd George të përjashtonte nga marrëveshja e pavarësisë një pjesë të ishullit irlandez që përfshinte popullatën protestante të Ulsterit.

Një shtet, me një pakicë katolike, u krijua nga 6 qarqet më veriore të Irlandës, të cilat mbetën të lidhura me Britaninë e Madh, ndërsa 26 qarqet e tjera u bënë Republika e Irlandës. Sot, Irlanda e Veriut ka një popullsi prej më pak se 1.9 milionë banorë, 42 për qind e tyre katolikë, ndërsa 5 milionë të tjerë banojnë në pjesën tjetër të ishullit, të sunduar nga Dublin.

“Troubles” (Telashet), të cilat për 30 vite e sollën gjakderdhje në Irlandën e Veriut, përfunduan me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të kryeministrit britanik Tony Blair në vitin 1999. Anëtarësimi britanik dhe irlandez në Bashkimin Evropian dukej se e bënte shumë më reale perspektivën – e cila u mirëprit nga shumë prej ne anglezëve – që Irlanda të bëhej edhe një herë e bashkuar brenda një kohe jo shumë të gjatë.

Por largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ka rezultuar të jetë katastrofik për perspektivat e bashkimit të ishullit irlandez. Ish-kryeministri britanik Boris Johnson negocioi “Protokollin e Irlandës së Veriut” si pjesë e marrëveshjes së tij të Brexit, e cila i dha një status të veçantë tregtar, me një dispozitë për kontrolle doganore për mallrat që hynë apo dalin nga Britania nëpërmjet Ulster, duke ruajtur lëvizjen e lirë përtej kufirit irlandez.

Johnson e gënjeu klasën politike protestante, shumë prej të cilëve janë anëtarë të Partisë Unioniste Demokratike, dhe për pasojë të fiksuar për të ruajtur lidhjen e tyre jo me Britaninë e vërtetë, por me një Britani që ka ekzistuar shumë kohë më parë.

Ai pretendoi se marrëveshja e la të pandryshuar pozitën e tyre kushtetuese, se nuk do të kishte kufi në Detin Irlandez. Në fakt, do të ketë kontrolle doganore, pjesë e kostos së pashmangshme të Brexit. Të tërbuar nga tradhtia, Unionistët u tërhoqën vitin e kaluar nga organi i ndarjes së pushtetit që e ka qeverisur Irlandën e Veriut që nga marrëveshja e 1999-ës.

Që nga ajo kohë ata e kanë bojkotuar asamblenë, pjesërisht për shkak të faktit që zgjedhjet e vitit të kaluar e bënë për herë të parë më të madhe partinë republikane Sinn Fein sesa grupimi i tyre. Tani Rishi Sunak është i detyruar të përballet me problemin se si të përmbushë detyrimin ligjor të Britanisë ndaj BE-së, dhe në të njëjtën kohë të mbështesë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, duke shmangur revoltën e protestanteve.

Sunak është përpjekur ditët e fundit të nënshkruajë një marrëveshje të re kompromisi me Brukselin, duke parandaluar revoltën e segmentit më të djathtë brenda partisë së tij. Shumë nga ne në Angli i konsiderojnë të gjitha zhvillime si çmenduri, në një kohë kur vendi ynë përballet me probleme të mëdha: një ekonomi e lëkundur; një sistem shëndetësor në kolaps; greva në shkolla, spitale dhe në sistemin hekurudhor.

Nuk ka asnjë siguri nëse Sunak, që është pranë arritjes së një marrëveshjeje pragmatike me Brukselin për marrëdhëniet e ardhshme të Ulster me Britaninë dhe BE-në, do të jetë në gjendje të sigurojë mbështetjen e partisë së tij për të garantuar miratimin e paktit në parlament, apo do të jetë i detyruar të mbështetet tek votat e opozitës laburiste.

Por nëse Irlanda është aktualisht në fokusin kryesor të krizës së vazhdueshme kushtetuese të Mbretërisë së Bashkuar, kjo nuk është e vetmja problematikë. Këtë muaj, kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, njoftoi synimin e saj për t’u dorëhequr. Vendimi i saj u përshëndet me entuziazëm nga unionistët anglezë, të cilët e perceptojnë dorëheqjen e saj si një humbje historike të lëvizjes skoceze për pavarësi.

Për momentin ata ndoshta kanë të drejtë. Sturgeon ishte një politikane karizmatike që emocionoi shumë skocezë me kundërshtimin, madje edhe përçmimin e saj ndaj kryeministrave anglezë. Por qeverisja e partisë së saj në Skoci për më shumë se një dekadë ka qenë një katastrofë në menaxhimin e arsimit, shëndetësisë, transportit etj.

Sondazhet tregojnë se mbështetja skoceze për pavarësinë ka rënë në mënyrë drastike.

Por Britania e Madhe është ende larg rrezikut, sepse demografia anon sërish drejt skocezëve.

Referendumi i fundit për pavarësinë, gati një dekadë më parë, u fitua nga skocezët që donin të vazhdonin të ishin pjesë e Britanisë. Ata ishin shumë më të moshuar. Sot, skocezët e moshës 16-24 vjeç, kanë 6 herë më shumë gjasa të votojnë pro pavarësisë sesa prindërit apo gjyshërit e tyre, pavarësisht varësisë nga subvencionet angleze për shpenzimet shtetërore.

Unë besoj se brenda një brezi, Skocia do të votojë për pavarësinë dhe Irlanda e Veriut për ribashkimin me pjesë tjetër të ishullit. Për pasojë Anglia do të jetë një vend më i vogël, si në ndikimin ndërkombëtar po ashtu edhe në hapësirën tokësore. Por kjo është pasojë e zgjedhjeve që kanë bërë anglezët, në një botë ku lokalizmi është në modë pothuajse kudo ku numërohen votat.

Leave A Reply

Your email address will not be published.