Pandemia varfëron qytetarët, por jo deputetët

0 331

Edhe pse institucionet në Kosovë u sfiduan nga kriza që erdhi si pasojë e përhapjes së Covid-19, të zgjedhurit e popullit nuk u përballën me probleme me të ardhurat. Deputetët e institucionit që u pasivizua gjatë këtyre muajve, për shkak të pandemisë dhe krizës politike, morën paga të plota. E monitorues të punës së Kuvendit, po vlerësojnë që ky institucion është dashur të jetë më aktiv gjatë kësaj periudhe. Mesi i muajit mars e gjeti Kosovën me raste pozitive me koronavirus dhe filluan të ndërmirren masa për kufizim të lëvizjes, pezullim të mësimit në shkolla, mbyllje të çerdheve dhe ndërprerje të shumë aktiviteteve të tjera, që kryesisht prekën bizneset.

Menjëherë pas kësaj, më 25 mars me një mocion mosbesimi të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, për të thelluar kështu një krizë politike, përveç asaj që tashmë ekzistonte në sektorin shëndetësor. Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se pandemia dhe kriza politike janë dy faktorë që kanë ndikuar në pasivizimin e Kuvendit të Kosovës në muajt e fundit. Ajo thotë se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë dhe kriza politike ka kontribuar në pasivizimin e punës së Kuvendit duke qenë se nga praktika parlamentare në Kosovë në raste të tilla, nuk ka ndërveprim të rregullt mes Kuvendit dhe Qeverisë.

“Përkundër krizës politike, Kuvendi do të duhej të kishte një rol shumë më aktiv për të ndihmuar institucionet tjera relevante në menaxhimin e situatës së krijuar me pandeminë. Mirëpo në mungesë të vullnetit politik të grupeve parlamentare përkundër disa iniciativave, kjo nuk ka ndodhur deri më tash. Ndërkaq janë edhe 7 marrëveshje ndërkombëtare financiare që presin miratim nga Kuvendi, e për të cilat duhen votat e 2/3 të të gjithë deputeteve, ku një pjesë e këtyre marrëveshjeve janë kredi që janë negociuar nga Qeveria për menaxhimin e situatës me pandeminë dhe në lidhje me rimëkembjen e ekonomisë nga pasojat që ka shkaktu pandemia. Këto fonde rrezikojnë të humbasin nëse Kuvendi nuk i miraton deri në afatin që parashihet me këto marrëveshje dhe për këtë duhet vullnet dhe konsensus i të gjitha grupeve parlamentare”, thotë Haxhiu.

Sipas saj, edhe pse ishte konstituuar Kuvendi në fund të vitit të kaluar, ajo çka është arritur të punohet ka qenë kryesisht funksionalizmi i komisioneve, njoftimi me punët që i presin deputetët dhe miratimi i ligjit për buxhetin i cili sipas saj ka qenë çështja me urgjente për institucionet e reja. Edhe sipas Albert Krasniqit nga Demokracia Plus, Kuvendi është dashur të jetë më aktiv, në veçanti në mbikëqyrjen e qeverisë dhe zbatimin e masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“Kuvendi është dashur të jetë më aktiv, sidomos në mbikëqyrjen e qeverisë, në zbatimin e masave të cilat i ka ndërmarrë për të parandaluar dhe frenuar përhapjen e pandemisë, po ashtu është dashur të fokusohet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në mënyrë që ato mos të kufizohen në mënyrë arbitrare nga qeveria apo institucione të tjera, po ashtu të mbikëqyr edhe vet punën e institucioneve edhe të shëndetësisë edhe institucioneve tjera të cilat Kuvendi do të mund t’u dalte në ndihmë përmes miratimit të pakove të ndryshme, qoftë atyre ekonomike apo lehtësirave të tjera në mënyrë që këto institucione të kryejnë më mirë punë ne tyre dhe t’u dalin në shërbim qytetarëve me kapacitetet e plota”, thotë Krasniqi. Pas shpalljes së pandemisë, Kuvendi mbajti seancë për të miratuar buxhetin, pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit dhe një herë u mblodh për masat ekonomike e financiare për rimëkëmbje të ekonomisë.

“Gjatë kësaj periudhe ka pasur më shumë përpjekje për t’u dukur që po punojnë sesa që ka pasur realisht punë efektive e cila do të mund të rezultonte në aktivitete konkrete, kanë qenë më shumë disa improvizime të cilat janë bërë”, thotë ai. Gjatë kësaj kohe kishte iniciativë të kryetares së Kuvendit për ligjin për pandemi por që nuk u materializua. Gjithashtu edhe iniciativa tjera si ligji për amnisti ku komisioni për legjislacion nuk dha dritën e gjelbër për t’u miratuar këto ndryshime. Gjatë kësaj periudhe një sërë masash që janë tentuar të ndërmirren nga Kuvendi por që në fund nuk kanë rezultuar me diçka konkrete. Në një përgjigje për redaksinë, Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar se gjatë muajit mars, prill dhe maj komisionet parlamentarë kanë mbajtur 50 mbledhje.

“Komisionet parlamentare gjatë periudhës mars, prill dhe maj 2020, kanë zhvilluar aktivitete si në vijim: kanë shqyrtuar dhe amandamentuar Projektligjin nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020; kanë mbajtur 50 mbledhje, kanë shqyrtuar 32 amendamente; kanë raportuar në komisione ministra apo udhëheqës të agjencive, institucioneve të ndryshme 14 herë; kanë shqyrtuar 12 raporte financiare dhe raporte të tjera, si dhe përfundime të Kryesisë dhe shkresa tjera drejtuar komisioneve; kanë realizuar pesë vizita në terren dhe është nxjerrë një vendim rreth monitorimit të zbatimit një ligji”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit. Paga bazë e deputetit të Kuvendit të Kosovës është 1 mijë e 547 euro, pa llogaritur shumën që marrin për pjesëmarrje në seanca dhe komisione parlamentare. Kuvendi ka konfirmuar se gjatë periudhës së pandemisë deputetët i kanë marrë pagat e plota dhe asnjëri nuk ka hequr dorë nga to.

Leave A Reply

Your email address will not be published.