Ministri britanik trondit me deklaratën: 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur, 88% e tyre janë shqiptarë

0 118

Ministri i Brendshëm britanik Simon Murray ka bërë një deklaratë tronditëse para Dhomës së Lordëve duke thënë se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur nga hotelet e Home Office në Britani, dhe se 88 përqind e tyre janë shqiptarë.

Zbulimi vjen pasi Observer raportoi disa ditë më parë se një burim nga një hotel i Home Office në Brighton kishte pohuar se disa fëmijë ishin rrëmbyer nga rruga jashtë hotelit dhe ishin futur në makina.

Departamenti u paralajmërua nga policia se banorët e pambrojtur të hotelit, kryesisht fëmijë azilkërkues që kishin mbërritur së fundmi në MB, shumë me varka të vogla, pa prindër apo kujdestarë, do të ishin në shënjestër të rrjeteve kriminale.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga kolegu i Liberal Demokratëve, Paul Scriven, Lord Murray zbuloi shifrat të cilat janë grumbulluar që nga korriku 2021.

“Home Office nuk ka fuqi të ndalojë fëmijët azilkërkues të pashoqëruar në këto hotele dhe ne e dimë se disa prej tyre zhduken. Shumë prej tyre që zhduken janë gjurmuar më pas.”

Ai tha se 88% e tyre, 176, ishin me origjinë shqiptare dhe ai tha se qeveria shpreson të heqë dorë nga përdorimi i hoteleve për fëmijët “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ka gjashtë hotele të Home Office për fëmijët azilkërkues të pashoqëruar, duke përfshirë atë në Brighton.

OJQ-të kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për fëmijët që zhduken nga strehimi dhe kanë ofruar të ndihmojnë Home Office për t’i mbajtur ata të sigurt, por qeveria i ka refuzuar këto oferta, shkruan The Guardian.

Philip Ishola, shefi ekzekutiv i organizatës kundër trafikimit të fëmijëve, e cila ka paralajmëruar për rrezikun e vendosjes së fëmijëve të pashoqëruar në hotele që kur Home Office filloi t’i përdorte ata, tha se Home Office hodhi poshtë një ofertë nga një grup organizatash për të vlerësuar një hotel në Brighton.

“Kjo është më shumë se një vit më parë dhe atëherë ishte e qartë se kishte shqetësime serioze për sigurinë e të rinjve në këto hotele. Që atëherë, Home Office është paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se fëmijët po zhduken, potencialisht për t’u trafikuar dhe shfrytëzuar, megjithatë këto shqetësime janë injoruar,” tha ai.

Bella Sankey, një këshilltare laburiste në Brighton and Hove, tha: “Këta fëmijë duhet të gjenden. Ne gjithashtu kemi nevojë për një hetim të plotë për të vendosur shkallën e plotë të përgjegjësisë politike dhe institucionale për këtë keqbërje të neveritshme.”

Që kur Home Office filloi strehimin e azilkërkuesve në hotele në Brighton dhe Hove në korrik 2021, 137 fëmijë të pashoqëruar janë raportuar të zhdukur, tha zëdhënësi i policisë. Prej tyre, 60 janë gjetur dhe 76 raste mbeten në hetim.

Leave A Reply

Your email address will not be published.