Pas muajve mbyllur për shkak të Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave në ambiente të mbyllura. Gjatë një konference për mediet, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu sqaroi se do të vijonë të mbeten të mbyllura klubet e natës, pub-e e disko-t, apo veprimtari të këtij lloji.
”Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, tha ajo.
Duke theksuar se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit. ”Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha ministrja e Shlndetësisë.
Në video-mesazhin e saj, Manastirliu tha se në 40 javë të epidemisë nuk janë ndalur për asnjë çast përpjekjet e ekipeve mjekësore dhe të gjithë sistemit shëndetësor. ”Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, furnizimet e nevojshme dhe medikamente në spitalet Covid, kemi përgatitur për çdo eventualitet, dyfishimin e kapaciteteve në shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale, kemi shtuar testimet, gjurmimin dhe kemi fuqizuar ekipet e epidemiologëve të terrenit, për të zbatuar sa më me efikasitet strategjinë tonë të kufizimit të përhapjes së koronavirusit”,- nënvizoi më tej Manastirliu.
🟢 Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për RIHAPJEN NGA DATA 1 TETOR të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave në ambiente të mbyllura. ⚠️ Respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, për të vijuar pa ndërprerje aktivitetet e biznesit dhe të shërbimeve dhe që ekonomia të mos cënohet nga kufizimet e detyruara për arsye të ruajtjes së shëndetit publik!🤜#COVID19🤛
Gepostet von Ogerta Manastirliu am Sonntag, 27. September 2020