Çdo ditë vrasje/Eksperti: Postoblloqet nuk parandalojnë ngjarjet kriminale

0 323

Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët?

Sipas Sindikatës së Policisë, uniformat blu po përballen me raste kriminale që nxjerr në pah grupe të organizuara dhe sipas tyre postblloqet nuk kanë mundësi që të shmangin këto raste. Sadetin Fishta thekson se ngjarjet e fundit kriminale në vend, tregojnë se grupet e hetimit kanë mungesë së theksuar të informacionit çka mund të sjellë parandalimin e tyre.

“Sektori i hetimit të krimit ka mjetet e tij për parandalimin e ngjarjeve kriminale që në radhë të parë është marrja e informacionit për evidentimin e ngjarjeve kriminale ose të elementëve kriminalë të cilët janë me precedentë. Fakti që tek ne ndodhin vrasje të tilla, që tregojnë një shkallë të madhe të organizimit, Policia e Shtetit sot gjendet në befasi në raport me informacioni që ka me këto fenomene”,- thotë Fishta për ”Vizion Plus”.

Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përpiqet që të minimizojë ngjarjet e fundit kriminale teksa promovon skuadrat “Shqiponja” nëpër Shqipëri, duke thënë se këtë vit kemi numrin më të ulët të vrasjeve. Shifrat flasin ndryshe. Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota u izoluara për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid-19, u regjistruan 24 vrasje.

Grupet kriminale kishin kohën në favor të tyre, që të mendonin për metodat të cilat kanë rezultuar më të sofistikuara. Mbi të gjitha autoritetet janë larg zbardhjes të së vërtetës. Grupet kriminale i kanë shfrytëzuar muajt e shtetrrethimit për të thurur plane. Në rreth 70 ditë nga kthimi në normalitet në të gjithë vendin u regjistruan 12 ngjarje kriminale, 4 prej të cilave me nga 2 viktima. Shqipëria renditet e treta në Europë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë. Numri më i lartë i viktimave nga vrasjet në 5 vitet e fundit është shënuar në 2016-n, me 99 humbje jete, duke zbritur në 68 përkatësisht në 2017 dhe 2018. Kurse në 2019 u vranë 75 persona. Vrasjet me dashje, në 58 në 2019 nga 51 në 2018, kanë shënuar nivelin më të lartë nga 2016.

Leave A Reply

Your email address will not be published.