Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pranoi se këtë vit ka një tendencë në rritje të mbjelljes së kanabisit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ngre shqetësim inkriminimin e punonjësve të policisë. Duke folur para strukturave drejtuese të bluve dhe prefektëve, Lleshaj i la detyrë drejtuesve, që të idenfitikohen efektivët të cilët kryejnë punë të pamjaftueshme apo bashkëpunojnë me elemente kriminalë.
”Tentativa për kultivim ka në shumë qarqe të vendit. Përgjegjësia e secilit prej jush është lufta në tre fronte: Vënia para përgjegjësisë e administratorit, zhvillimi i operacioneve policore, monitorim dhe goditje ku risku është i lartë dhe ka informacione, së treti ballafaqimi me të keqen brenda vetes. Kultivimi i kanabisit apo veprimtari të tjera kriminale lidhen me punën të pamjaftueshme dhe kriminale të elementëve brenda policisë që duhen identifikuar dhe të vihen para përgjegjësisë. Vitin e kaluar kemi pasur disa raste punonjësish policie që janë proceduar penalisht për moskryerje të detyrës apo edhe përfshirje në veprimtari të paligjshme. Për fat të keq edhe sivjet ka pasur raste të tilla që ose nuk kanë bërë detyrën, ose e kanë bërë keq, ose janë përpjekur për ta dëmtuar atë duke u përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe kriminale. Janë marrë masa që kanë shkuar deri në nivele të larta”.
Sipas Lleshaj, për luftën ndaj kanabisit do të përdoret flota e helikopterëve që ka Shqipëria, ndërsa kërkoi strukturat vendore të bashkëpunojnë me policisë pasi në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi penale. Pas mbylljes së punës 3 mujore për luftën ndaj Covid, Lleshaj i ngarkoi një tjetër detyrë sezonale policisë. Ata duhet të monitorojnë vijën bregdetare, ku nuk do lejohet të ngulet asnjë çadër e pa licencuar.