Kur do të dalë në sheshe, opozita?

0 375

Në kulmin e pandemisë kryeministri Edi Rama nuk harron asnjë ditë të sulmojë opozitën, bile ta përqesh edhe kur vetë është deri në grykë në faje dhe në shkelje ligji. Për kreun e qeverisë kemi një opozitë, pa ide, pa program dhe që nuk e ka ndihmuar qeverinë dhe qytetarët gjatë krizës së koronavirusit. Që nga muaji mars kur gjëma e virusit plasi, opozita ka bërë sjellje të qetë në raport me qeverinë. Shumicës së qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës, kjo sjellje europiane e opozitës, në një shtet që vuan rëndë nga virusi i korrupsionit dhe pandemia e antiligjit, u duket se nuk ka lidhje me hallet e tyre të përditshme. Qytetarët po shohin një film të përsëritur. Edhe vjet në vjeshtë opozita uli armët dhe la sheshet me popull për një Kod Zgjedhor, që në thelb nuk ai fajtori.

Është Edi Rama që me çdo Kod që të përzgjedhë opozita do të turret për ti blerë zgjedhjet. Pas vjeshtës së kaluar opozita u bë si të thuash si “pjetare e qeverisë” me tërmetin tragjik të nëntorit. Opozita uli armët, i dha kohë qeverisë të merrej me tragjedinë, e cila filloi të vjedhë fondet dhe duke prishur dëshmitë e krimëve të ndërtimeve të bashkive të Rilindjes. Qeveria “Rama” e kapi skemën dhe paradite përlotej mbi rrënojat e tërmetit, ndërsa pasdite kthente në gërmadhë institucionet, ndryshonte ligjet, kapte reformën në drejtësi dhe asgjësonte këdo që mund të jetë kërcënim sado i vogël për pushtetin e tij.

E njëjta gjë po ndodh dhe me pandeminë. Paradite flitet për izolim, karantinë, viktima, ndërsa pasdite qeveria vijon me vjedhje, tendera sekretë dhe përgatitjen për kapjen e çdo pushteti dhe zgjedhjet e radhës, kurdo që ato të jenë. Me stilin e tij, Edi Rama po qeverisë mbi rrënoja e pandemi edhe me miratimin e heshtur të opozitës e cila duket sikur thotë “nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi në fatkeqësi”. Por populli vuan dhe sa nuk po plas të dalë në sheshe që ta rrëzojë këtë qeveri.

Me këtë palo parlament kryeministri mund ta shtyjë gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të vitit. Po opozita çfarë do bëjë? Do vijon të dëgjojë ekspertët qeveritarë të pandemisë që thonë të njëjtën gjë si Edi Rama dhe do të heshtë? Problemet që ka ngritur kjo opozitë; vjedhja e zgjedhjeve, korrupsioni, krimi, kapja e çdo qelize të shtetit janë urgjente e duan zgjidhje. Madje, keqqeverisja po e çon shtetin drejt falimentimit ekonomik dhe pa asnjë shpresë për rimëkëmbje. Çfarë kuptimi ka për një opozitë që pret nisjen e aksionit dhe reagimit qytetar, pasi ti ketë dhënë liridalje Edi Rama?

Nëse kemi një qeveri bandash dhe krimi që kërkon tashmë hashashin ta mbjellë me ligj, siç thotë opozita, përse hesht pra Lulzim Basha? Nuk bëhet opozitë vetëm me denoncime emailesh apo me tenderin e bashkisë së Matit. Opozita duhet të ndezë Bulevardin për ti dhënë liri biznesëve, qytetaravë që të punojnë, rinisë që të mos mbyllet brenda me dhunë; opozita duhet të jap shembullin e para në përballjen me klikën e krimit e jo të fërkojë duart se dolën artistët dhe u rrahën. Opozita nxjerrë gjoksin kundër pushtetit të krimit dhe sakatohet në betejë me Edi Ramën, siç mezi pret populli të shpërthejë.

Të jesh kryeopozitarë duhet të marrësh parasysh se edhe mund të arrestohesh nga pushteti i Rilindjes. E arrestuan Fatos Nanon, dikur, por ai doli nga burgu me shpirtin e njeriut që mori përpara pushtetin e kohës. Ndaj Opozita nuk ka pse rri më në zyra, por të marrë shembullin e artistëve dhe shoqërisë civile që me 9 maj dërmuan kryeministrin ku krejt bota e mori vesh se çfarë dhunues të lirisë janë rilindasit.

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaron se Rama ikën vetëm me revolucion në rrugë dhe më pas me zgjedhje. Sali Berisha e njeh mirë pushtetin e Rilindjes dhe nuk joshet nga thagmat që ata lëshojnë buzë Lanës! Opozita ka humbur kohë, por ende nuk është vonë që të reagoj me forcë e shpirt demonstrate. Dhe nuk duhen më reagime me xhiro nga Bulevardi dhe rrotull kryeministrisë, por qëndresë qytetare përballë kryeministrisë, me të gjitha format demokratike. Pushtetit të krimit nuk i dilet ndryshe, veçse me përballje frontale dhe pa mëshirë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.