“Kujdes kur blini veshje online”, Europol operacion në 27 vende, përfshi edhe Shqipërinë

0 146

Agjencitë ligjzbatuese nga 27 vende, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, morën pjesë në një operacion të koordinuar nga Europol për të mbyllur faqet e internetit që shesin mallra të falsifikuara ose që janë të përfshira në piraterinë në internet.

Operacioni i përsëritur, i cili mbështetet edhe nga Eurojust dhe INTERPOL, heton dhe sekuestron faqet e internetit që kanë përmbajtje të paligjshme.

Gjetjet kryesore të operacionit që u zhvillua nga 1 maji deri më 14 nëntor tregojnë gjithashtu se më shumë produkte të falsifikuara po grumbullohen brenda kufijve të Bashkimit Evropian dhe se shkeljet e pronësisë intelektuale të mallrave tregëtare janë të ndërthurura ngushtë me krimin e rëndë dhe të organizuar.

Operacioni u shtri në këto 27 shtete:

Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Kosova, Lituania, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Rumania, Sllovenia , Spanjë, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara

Agjencitë e zbatimit të ligjit kanë mbyllur 12 526 faqe interneti, dhe 15 dyqane online që shesin produkte të falsifikuara në rrjetet sociale.

Hetuesit sekuestruan 127 365 produkte të falsifikuara si rroba, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe telefona me vlerë më shumë se 3.8 milionë euro.

Kriminelët jetojnë një mënyrë jetese luksoze

Gjatë operacionit, u lëshuan 10 urdhra kontrolli dhe 14 persona u ndaluan ose u akuzuan zyrtarisht për shkelje të pronësisë intelektuale.

Në një aksion specifik, Policia spanjolle arrestoi katër persona, ndërsa një nga të arrestuarit u akuzua zyrtarisht. Sipas rezultateve paraprake të hetimeve, i dyshuari kryesor në këtë hetim fitonte deri në 150 mijë euro në muaj dhe jetonte me një mënyrë jetese luksoze, me shtëpi e makina të shtrenjta, si dhe reklamonte pushimet që bënte në të gjithë botën.

Rrjeti kriminal ishte i përkushtuar ndaj marketingut në shkallë të gjerë dhe shpërndarjes së përmbajtjes audio-vizuale pirate në internet.

Si pjesë e operacionit, policia spanjolle shkëputi 32 serverë që përmbanin përmbajtje të paligjshme, sekuestroi para, dokumente dhe dy automjete luksoze.

Njësia Bullgare e Krimit Kibernetik hetoi një rrjet kriminal që përdorte llogaritë dhe faqet e internetit të Facebook për të shitur rroba që ishin imitim i markave të njohura.

Në një aksion të koordinuar u kryen një sërë kontrollesh në shtëpi dhe u zbulua një punishte me makina qepëse.

Autoritetet sekuestruan etiketa të markave të njohura, artikuj pa markë, gati për t’u përpunuar, 600 artikuj të falsifikuar me vlerë 35 000 euro dhe një armë zjarri të paligjshme.

Këto zbulime tregojnë edhe një herë se prodhimi i produkteve të falsifikuara bëhet gjithnjë e më shumë brenda Bashkimit Evropian.

Konsumatorët të jenë të kujdesshëm kur blejnë online

Rezultatet e këtij operacioni shërbejnë si një alarm për qytetarët që të jenë tepër të kujdesshëm kur bëjnë blerje në internet për të shmangur blerjen e produkteve të falsifikuara përmes platformave të paligjshme.

Jo vetëm që produkte të tilla të paligjshme mund të paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe sigurinë për konsumatorët, por të ardhurat mund t’u shërbejnë gjithashtu rrjeteve kriminale të përfshira në forma të tjera krimi.

Interneti u ofron kriminelëve një nivel të caktuar anonimiteti dhe mundësi për të mbuluar gjurmët e tyre. Hapësira pa kufij lehtëson aktivitetet kriminale që zhvillohen kryesisht në nivel ndërkombëtar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.