Kryeministri Hoti thotë se pandemia do të zgjasë

0 287

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas një takimi me guvernatorin e Bankës Qendrore, tha se duhet të ketë bashkëpunim në mes të këtyre institucioneve mbi masat e reja për rimëkëmbje ekonomike që do zbatohen nga janari. Hoti tha se është e qartë që vendi do të përballet me pandeminë edhe pas fundit të këtij viti, andaj sipas tij, masat e reja do t’i hartojnë në konsultim të ngushtë me BQK-në. Pas takimit, Hoti tha se nga guvernatori kanë marrë informata premtuese për stabilitetin bankar e financiar në vend, që siç tha ai, me rritje vjetore të aseteve në 7.5 milionë euro dhe rritje të kredive në 3 miliardë euro.

”Deri në fund të dhjetorit ne e mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5% të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë eurosh. Kemi paraparë në buxhet vazhdimësinë e këtij fondi për vitin e ardhshëm prej 182 milionë euro si ndihmë për bizneset dhe qytetarë. Tash mënyrën si do t’i shpërndajmë ato, do t’i dizajnojmë me konsultim të ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës”, tha ai.

Në konferencë u tha se bankat janë likuide dhe raporti i likuiditetit shënon 37.7%, që siç theksoi ai është mbi minimumin e kërkuar rregullativ, që kërkohet të jetë 25%. Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se situata e krijuar me pandeminë Covid-19 kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.

Sipas Mehmetit, pandemia do të ketë ndikim negativ afatgjatë edhe te një pjesë e bizneseve. ”Pandemia, përveç vështirësive afatshkurtër të likuiditetit të bizneseve, do të ketë ndikim negativ dhe afatgjatë për një pjesë të bizneseve në sektorë të caktuar. Pako për rimëkëmbje ekonomike është më se e nevojshme për të minimizuar pasojat negative që do të kenë ndikim afatgjatë në këta sektorë”, tha ai. /Kosova Press/

Leave A Reply

Your email address will not be published.