Koduzi: Qeveria e do bilancin e Covid-19 sipas agjendës

0 347

Gazmend Koduzi, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, thotë se përtej numrave nga pandemia e Covid-19, është menaxhimi i situatës që e shqetëson më shumë. ”Çfarë bën një qytetar kur infektohet? Numri 127 është i mbingarkuar, sepse i referohet Urgjencës Kombëtare dhe nuk është i përgatitur në raste pandemie. Personat që dalin pozitivë, i thuhet të rrinë në shtëpi dhe të zbatojnë protokollin, por ata nuk vizitohen për të përcaktuar gjendjen aktuale. Duhet ekzaminimi përpara se të bëhet mjekimi”.

Sipas tij, shtetit shqiptar nuk i mungojnë të gjitha kapacitetet, si ato testuese për shembull. ”Kapacitetet duhet të dyfishohen. Qeveria i ka këto kapacitete, ekziston një laborator tjetër publik si në ISHP që mund të shfrytëzohet, pa marrë parasysh sektorin privat, ku ndarja publik/privat në epidemi nuk duhet të ekzistojë. Pse nuk vepron? Qeveria nuk po shikon në të mirën e qytetarëve, por po tenton të kontrollojë informacionin mbi bilancin, që shpërndahet sipas agjendës”, thotë ai për A2.

Nga ana tjetër, Koduzi bën edhe apel decentralizimin e procesit, që do të mundësonte akses më të madh për të infektuarit nga Covid-19, duke marrë parasysh faktin që me sezonin e vjeshtës do të shtohen virozat, që do ta bëjnë edhe më të vështirë diagnozën diferenciale mes rasteve, ku qeveria duhet t’ i përgjigjet kësaj situate me trinomin “testim-gjurmim-trajtim”, si dhe me sensibilizim më të madh për vaksinimin ndaj gripit stinor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.