Ilaçe kontrabandë me vlerë 30 mijë euro, arrestohet 59 vjeçari, nën hetim bashkëshortja

0 110

Finalizohet me sukses, si rezultat i një hetimi disamujor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Barnat”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Tregtonin barna të kontrabanduara, që i mbanin në një depo farmaceutike, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht bashkëshortja e tij.

Sekuestrohen barna të kontrabanduara, me vlerë 30 000 euro.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore të ndjekur me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Barnat”.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Dh., 59 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen M. Dh., 56 vjeçe, banuese në Tiranë (bashkëshortja e shtetasit K. Dh.)

Shtetasi K. Dh. dhe bashkëshortja e tij administronin një depo farmaceutike në rrugën “Mihal Duri”, në të cilën, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme barnash, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat arrijnë vlerën rreth 30 000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.