Humbja e PD-së dhe një propozim për të nesërmen

0 183

NGA PREÇ ZOGAJ/ “Vae Viktis”,  thotë  një shprehje e  vjetër latine. Që në shqip  përkthehet “ mjerë të humburit”. Kurrizi i tyre mban  gjithçka. Shkaqe te arsyeshme dhe idiote. Inate të bartura, shqelmime të befta, anatema, gjykime të  formës së  prerë.  Nga kushdo që ka në dorë një gurë për tua hedhur.

E kam  parë  fytyrën e humbjes në fytyrën time në pasqyrë. Me është dhënë rasti ta shoh  tre- katër herë në fytyrën e Sali Berishës. Të Edi Ramës kur po humbte zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Të Lulzim Bashës  në zgjedhjet e vitit 2017.

Humbja  ka një  spikamë  që  të lë të heshtur edhe kur ke diçka për t’i thënë-  qortim, kritikë,  kërkesë llogarie apo largimi-   atij që e mishëron  atë në shtangien e tij, në pamjen e tij të  menduar, të vrarë, ku duket sikur ora  ka ndaluar. Në këtë fragment të trishtë të humbjes  heshtja zakonisht  e shtyn fjalën për nesër, për pasneser. Sepse e vërteta nuk ikën, nuk ka ku shkon. Aty është. Ajo madje mund të kapet më mirë pasi të  ftohen pak emocionet dhe të dekantojë turbullimi.

Përse humbi PD në zgjedhjet e pjesshme  të 6 marsit në gjashtë bashki? Para se të  hedh  edhe unë  dy tre arsye  në  festivalin e shumë  arsyeve, duhet të themi se  këto zgjedhje nuk ishin dhe nuk janë  udhëkryqi  i madh i historisë sonë, siç  po fryhen lart e poshtë.  Është shumë -shumë e sforcuar tu vësh këtë barrë.  Ambasadori gjerman  u dëgjua të thoshte  ditën e votimeve nga Shkodra se kishte ardhur në këtë qytet veç të tjerave edhe për të shuar një kuriozitet – çfarë janë dhe si janë këto zgjedhjet e  pjeshme që nuk ekzistojnë  në Gjermani.  Te ne ekzistojnë. Ato fitohen gjithmonë  nga ata që drejtojnë bashkitë në  garë. Siç  ndodhi edhe kësaj radhe ku pesë bashki që kishin socialistët i fituan  po socialistët dhe një që  kishte mbetur e PD-së që nga zgjedhjet e vitit 2015, por kishte  kaluar  me Levizjen e Berishës,  e fitoi kjo Lëvizje.

Brenda kotësisë se zhvillimit të tyre sa u takon shanseve  për të sjellë ndonjë ndryshim, zgjedhjet e pjesshme kanë patur edhe qëllime: rëndom ato janë përdorur si  laboratore të eksperimentimit të manipulimeve të reja.  Një shembull  tipik ilustrues ka qenë rasti i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër në vitin 2016 . Motivi i shkarkimit  para kohe të kryetarit të zgjedhur atëherë,  që i hapi rrugë zgjedhjeve të pjesshme,  sugjeronte një reagim  të madh popullor kundër PS-së. Në fakt  kur u numëruan votat doli ndryshe. Falë eksperimentimit të rrethimit të shumfishtë të  zgjedhjeve nga qeveria, eksperiment i sukseshëm që u zbatuar gjerësisht në zgjedhjet politike të mëvonshme. Kaq për  rëndësinë e zgjedhjeve të pjesshme.

Kësaj radhe  mbi supet e tyre u vu  barra për të matur mbështetjen  e Levizjes  hakmarrëse të Sali Berishës  dhe aleatëve të tij  kundër Lulzim Bashës  dhe PD-së  që ka mbështetur qëndrimet e  këtij të fundit  në linjë me SHBA për të sanksionuarit  non gratta, një prej të cilëve është Sali Berisha. Ato u shpallën në një moment  paqartësie për të vërtetën e  krizës   brënda  PD-së,   me një Berishë në sulm  të pandalshëm  dhe me një Bashë kryesisht  në mbrojtje  dhe në asimetri me sulmet e Berishës.  Kriza ka  patur nevoje për kohë  që të sqarohet më mirë.  Zgjedhjet e datës  gjashtë mars do ta kapnin në kundërkohe PD-në. Ashtu siç pritej dhe bash për arsyen për të cilën u zhvilluan në atë datë, kualicioni trepalësh “Shtëpia e Lirisë”  e realizoi  objektivin   që kishte për të nxjerrë PD-në në vend të  tretë dhe për të  nxitur  e shpresuar mbi këtë bazë tretjen e saj  në Levizjen për Rithemelimin të udhëhequr nga Berisha.

Në vend që të njihen reciprokisht si dy opozita   kundërshtare me njëra tjetren për arsyet që dihen, pala e Rithemelimit dhe disa prej mbështetesve e saj mediatikë, me padurimin që ecën para ngjarjeve dhe realiteteve, po i trajtojnë demokratët që votuan PD-së si rrugëhumbur dhe  vetë  PD-në si një subjekt  të  shpartalluar.  Duke nënvleresuar  apo injoruar faktin se pavarësisht dizavantazheve  të dukshme dhe kohës së papërshtatshme , PD , po të heqim  Vorën ku praktikisht  konkuroi  sa për sy e faqe, pa patur as komisonerë, ka marrë  mbi 15 përqind të votave, ka  dalë në vend të dytë në bashkinë  e Rrogozhinës,  ka marrë  në Dibër me shumë vota se Lëvizja  e Berishës, që qëndron  nja dyzet vota përpara vetëm falë faktorit LSI. E njoh aspektin meskin të këtyre   llogaritjeve, por për sa kohë që “ beteja” po bëhet  kush është para tjetrës  mes dy grupimeve humbëse  nuk mund  ty mos bëhen.

Avantazhi  e pastër i Levizjes së Berishës është më e vogël se sa po thuhet  nëse  i zbriten  votat e LSI  që janë të konsiderueshme në të gjashtë bashkitë,  të PDK-së që nuk janë të papërfillshme  sidomos në Bashkinë e Shkodrës  dhe  të ca partive të tjera  të vogla të kualicionit opozitar  të  25 prillit që nuk u rreshtuan nga pikmapja formale në zgjedhjet  e pjeshme, por kanë votuar Shtëpinë e Lirisë. Sigurisht PD ka  humbur, rrezultatet e saj në Durës dhe  Lushnjë janë   larg pritshmërive, gjë që nuk mund ta themi për  Shkodrën, Dibrën dhe Rrogozhinën ku sipas meje rrezultatet i përgjigjen   pritshmërive në rrethanat e çarjes  dhe turbullirës së madhe të momentit kur u zhvilluan.  Në këto tre bashki mendoj se PD ka marrë me shumë se sa  i ka  taksur tërë kohës  pala kundështare brënda saj.

Vëtë Lëvizja e Berishës pa LSI dhe partitë e tjera të vogla, ka marrë më pak se sa i takste  vetes së vet përgjatë kësaj kohë. Të gjitha këto i themi për të nderuar të  vërtëtën ashtu siç është  dhe aspak për të  justifikuar  humbjen e PD-së. Humbja ka disa shkaqe që janë të rrethanave  dhe  brënda saj.  Unë do të veçoj   këtu si arsye të rrethanave jashtë PD-së  faktin që  kjo parti  dhe kryetari i saj Lulzim   Basha  shkuan në këto zgjedhje duke qenë  nën agresionin e  Sali Berishës  dhe mbështetesvë të tij për gjashtë muaj me radhë. PD shkoi e shqyer në këto zgjedhje dhe kush ka  menduar një rrezultat normal të saj në këto kushte është minimalisht naiv.  Në lidhje me qëllimin e nxjerrjes së renditjes mes dy pjesëve të PD-së,  këto zgjedhje ishin shumë larg së qëni laboratorike. Berishës i duhej ti bëntë shpejt sa pa u sqaruar në dritën e  trasparencës dhe drejtësisë,  qoftë në Francë ku ka  bërë padi, qoftë në Shqipëri, brendia e shpalljes së tij non grata nga SHBA. Basha kishte nevojë për kohë. Që nuk e pati.

Mjafton  kjo për të shpjeguar  vështirësitë  me të cilat u ndesh  PD-ja zyrtare. Por nuk mbaron këtu. Zgjedhjet  e 6 marsit në gjashtë bashki  janë një miniaturë e zgjedhjeve të 25 prillit sa i takon rrethimit të tyre me një arsenal mjetesh të  paligjshme që PD nuk i zotëron dhe  është zotuar të  mos i përdorë  edhe po ti ketë,  siç  janë paratë e korrupsionit për blerje votash,  përdorimi i pushtetit,  grupet kriminale.  Rrethimi i zgjedhjeve dhe reduktimi i i garës  kryesisht  në arenën  e pushtetit dhe parave të pista është një  prej shkaqeve të abstenimit të lartë   që kanë mijrëra e mijëra  qytetarë, kryesisht demokratë,  të neveritur nga  zgjedhjet si bisnes apo mburojë për  politikanët  dhe jo si shans për qytetarët.  Në kontekstin e  të qënin nën agresion, të pabarazisë së mjeteve dhe  mbi të gjitha të aleancës  në veprim  kundër PD-së në këto zgjedhje  të  gjithë kastës  plurale  poitike, ekonomike dhe mediatike që përfaqëson  establishmentin njezet e pesë vjeçar në  Shqipëri, janë për tu përgëzuar përnjimend  kandidatët Xhemal Bushati në Shkodër, Ferdinand  Saraçi në Rrogoshinë, Luan Haka  në Dibër, por edhe të tjerët, sikurse gjithë  votuesit e PD-së që hodhën votën për vizionin e së ardhmes dhe në respekt të përcaktimeve statuore të PD-së për orjentimin perendimor euroatlantist të saj.

Nga ana tjetër  fushata nxori në pah dobësitë  e mëdha organizative të PD-së, vonesat e saj në nxjerrjen e kandidatëve, njëlloj plogështie që kontrastonte me fushatën  aktive dhe agresive të Shtëpisë së Lirisë. E  vërtëtë se  mbizotëroi moderacioni dhe konstruktivizmi në fjalimet e Luzim Bashës;  e vërtetë  se kandidatët e PD-së  në tërësi paraqitën një model tjetër. Por në një garë të pjesshme dhe të imponuar, që  është kurdisur për të të bërë keq , dalin në plan të parë qasjet e mbijetesës dhe kthimit të goditjeve  në kuptimin politik të fjalës. Në këtë fushatë,  në raport me sulmet e parreshtura të Berishës kundër tij,  Lulzim  Basha u rikthye në përdorimin e asimetrisë, njëlloj si në tre muajt e parë të Foltores, që janë edhe tre muajt  e boshllëkut të madh që la ai në bazën e  partisë ku u dëgjua vetëm zëri i Berishës.

Sidoqoftë, sot jemi këtu jemi. Gjeja me e trishtë dhe madje  qesharake është  të kunduarit  e fitores nga humbësit e vendit të dytë. Në një kohë kur ka humbur gjithë opozita.  Përçarja e opozitës nuk i ka dhënë asnjë fitore PS-së në kuptimin e numrave të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Por i ka dhënë në kuptimin e abstenimit të pashëmbullt që ka  goditur fuqishëm pikërisht   subjetet e opozitës, PD, Levizjen e Rithemelimit , LSI e tjerë. Mendoj se goditjen me të madhe nga abstenimi duhet ta këtë marrë PD-ja.   Shtëpia e Lirisë ka qenë në fushtatë përmanente nga shtatori  i vitit të kaluar deri ditën e  fundit të fushatës së 6 marsit. Ajo ka patur kohë ti marrë dhe i ka marrë numrat e vet, duke e përmbushur në ektrem përpjekjen.  Ndëkohë që PD nuk ka mundur të nxjerrë në votim  një numër shumë të madh demokratësh që ndërsa e kanë ndarë mendjen të mos votojnë Berishën kanë  qenë  dhe janë hezituese, ose të pabindur me Bashën.

Nëse  konsiderojmë kampionin e  6 marsit, dy pjesëve të PD-së, të madhes dhe të voglës , u duhet   duhej  të çojnë  në zgjedhje  rreth dyqind mijë zgjedhes me shumë për të shpresuar  rrotacionin.  Kjo është sfida.  Përballë  kësaj sfide, unë shoh se PD është  sot  një rrugë e ngushtë, por e hapur në përpektivën  e saj euroatllantise  me mbështetje amerikane dhe europiane.  Ndërkohë që Levizja e Berishës është sot një rrugë   më e gjerë,  por e mbyllur në pespektivë  për shkakun e njohur të statusit non gratta të zotit Berisha. Kjo situatë  do të ndryshonte  vetëm nëse  SHBA do të tërhiqnin  qëndrimin e tyre të përsëritur  se do të ndërprisnin  marrëdhëniet me PD dhe çdo parti që drejtohet apo zotërohet nga një i shpallur non grata prej tyre. Me këtë rast  do të mund të verifikonim edhe bindjen e   shumicës së mbështetesve  të  Berishës se “SHBA negocion me të fortin”, bindje e cila eshtë investuar nga narrativa  origjinale e  Berishës për arsyet e shpalljes  dhe statusin e  non gratave. Opsioni i bashkimit, për aq real sa është e mund  të jetë,  presupozon një shartim  të rrugës së  gjerë me rrugën e hapur. Asnjëra nuk ia del pa tjetren.  Për këtë temë  rezervoj të drejtën të shkruaj në ditët në  vazhdim.

Për momentin,  ndërsa humbja  ka ngritur siparin e analizave, reflektimeve , gjykimeve, ripozicionimeve, kurbaneve, e tjerë,  mendoj se zgjedhjet  janë i vetmi mjet i takimit real me anëtarësinë dhe i legjitimit me  votë të lirë të çdo drejtuesi në gjithë piramidën demokrate nga seksioni më i thjeshtë deri  te kryetari i saj. Këtu e shoh unë  zgjidhjen e parë  të bashkimit dhe ringritjes./Panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.