Hajdarmataj: Rama si komisar lufte. 70 mijë gra e vajza në rrezik nga Covid-19

0 344

Zgjatja e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore dhe ndryshimet në Kodin Penal, për ish-deputeten e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, e cila thotë se mund të ketë kaluar virusin, janë masa ekstreme të arrituara nga një kryeministër që ajo e quan komisar lufte. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo thotë se “Mungon një arsyetim i llogjikshëm e bindës, si shkencor ashtu edhe ligjor, për parashikimin e mëtejshëm të ecurisë së epidemisë dhe pasojave të saj në të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit”. Nga ana tjetër, për amnistinë fiskale, ajo thotë se një hap i tillë nuk ndërmerret nga asnjë qeveri e përgjegjshme perëndimore sepse këto janë politika që kërkojnë kthjelltësi dhe vizion. “Ne prisnim që qeveria dhe parlamenti të zhvillonin një debat të thellë dhe serioz për paketat e mbështetjes ekonomike dhe sociale për mbi 250 mijë familje, në nevojë të madhe për të ardhura bazike për ushqim”.

Komisioni i Ligjeve miratoi zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor 2020. E shihni si nevojë për të mbajtur shtetrrethimin? Nga ana tjetër, qeveria forcoi Kodin Penal që çon në burg shkelësit e rregullave. Si i shikoni këto masa lehtësime të qeverisë, është sinjal që Shqipëria e ka fituar betejën me Covid-19 dhe janë të nevojshme kaq masa drastike?

Zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, shoqëruar me ndryshimet e Kodit Penal i shoh si një plan masash ekstreme, që cënojnë rëndë të drejtat e njeriut, të çdo moshe dhe statusi social ekonomik. Këtij drafti i mungonte një arsyetim i llogjikshëm e bindës, si shkencor ashtu edhe ligjor, për parashikimin e mëtejshëm të ecurisë së epidemisë dhe pasojave të saj në të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit.

Një grup organizatash të shoqërisë civile të cilat nuk u morën fare në konsideratë as nga kryeministri, i cili është kthyer tashmë si komisar lufte, as nga komisionet parlamentare, të cilat as në kohëra normale nuk mblidhen për të shqyrtuar propozimet apo sugjerimet e shoqërisë civile e jo më në këtë situate. Më erdhi shumë keq që mungonte zëri i shoqërisë civile tek protesta para parlamentit, kur u miratua afati i shtyrjes dhe ndryshimet e Kodit. Personalisht e kisha të pamundur pjesëmarrjen për shkak të një rrethane familjare por e mbështes plotësisht protestën ndaj ndryshimeve të Kodit Penal.

Përsa i përket menaxhimit të situatës së Covid-19, unë mendoj se pati një personalizim ekstrem, nga ana e qeverisë dhe kryeministrit, në hartimin e masave për kufizimin e përhapjes së epidemisë. Për rrjedhojë është krijuar dhe një kaos, i cili ishte i paevitueshëm, për vetë gjendjen katastrofë që është katandisur shëndetësia dhe shumë shërbime në vend.

Coronën mund ta kem kaluar edhe vetë, pasi i pata të gjithë simptomat dhe askush nuk erdhi për të më bërë protokollin e diagnoztifikimit edhe pse telefonova disa herë 127. Absolutisht që nuk fajësoj mjekët pasi për mua ata mbeten vija e parë e përballimit të emergjencës por kjo është në vazhdën e mungesës së një planifikimi serioz të përballimit të një epidemie nga një shtet i cili shëndetësinë e ka shndërruar në mjedis tenderash dhe koncesionesh korruptive.

Shteti do pësojë disfatën e radhës edhe me të fortë, precedent i cili duhet të reflektohet me kujdes nga vetëdija e shoqërisë. Për një kohë të shkurtë ne shqiptarët u pëballëm me dy fatkeqësi tejet të rënda (tërmeti 26 nëntorit dhe Covid)  dhe shteti me politikanë të paaftë vazhdon të mbahet në këmbë vetëm përmes manipulimit dhe show-t mediatik.

Kryeministri Edi Rama flet për luftë, ushtri dhe humbje jetësh imagjinare. Këto ditë kemi parë sesi po protestohet në vende demokratike duke zbatuar edhe distancën fizike. Etiketimet për kreun e qeverisë si diktator nuk kanë munguar këto kohë. Shumë qytetarë pyesin, çfarë mund apo duhet bërë në këto kushte?

Komunikimi dhe interpretimi politik i një epidemie që ka prekur gjithë rruzullin, ishte një qasje shumë e gabuar nga ana e pushtetit dhe që ka rënduar vetëdijen e shoqërisë sonë. Ka edhe shumë probleme të ndryshme të rënda në vend, të cilat ende po qëndrojnë mbuluar nga presioni social dhe politik i izolimit të karantinës e cila po dirigjohet nga vetë shefi i qeverisë përmes konferencave online. Të gjitha kufizimet e lëvizjeve nuk kanë asnjë llogjikë shpjeguese nga mjekët, ekspertët e imunitetit apo psikologët, sepse zërat kundër mbyten nga demagogjia e pushtetit. Në këta dy muaj ekspertët e shëndetësisë e kanë nxjerrë shumë herë zbuluar kryeministrin dhe ministren, në pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë e marrjes së masave shtrënguese. Një shembull ishin radhët e gjata në supermarkete, banka etj kur koha e qarkullimit ishte deri në orën 13:00. Jam e bindur që në atë fashë kohore është mundësuar një përhapje masive e virusit, pasi njerëzit qëndronin shumë afër me njëri-tjetrin. Kjo situatë përsëritet me mbylljen absurde të fundjavës.

Si e keni parë amnistinë fiskale. Ku duhet të shkojnë paratë? A ka rrezik që këto paratë që do të futen në ekonomi rrezikojnë që të jenë para të pista nga aktivitete kriminale?

Jemi në një mungesë të plotë informacioni edhe në këtë rast. Aq më tepër që një projekt ligj i tillë po ndërmerret në një kohë emergjence, ku nuk mundësohet një debat i thelluar me ekspertë dhe studiues të ekonomi-financave dhe në mungesë të plotë të opozitës reale në Parlament. Një amnisti e tillë kur financat kombëtare janë tronditur thellë nga kriza e epidemisë, përvec krizës aktuale ekonomike, mund të çojë në kolaps të plotë buxhetin e shtetit dhe të gjitha ekuilibrat makro dhe mikro ekonomikë.

Një hap i tillë nuk ndërmerret nga asnjë qeveri e përgjegjshme perëndimore sepse këto janë politika që kërkojnë kthjelltësi dhe vizion. Ne prisnim që qeveria dhe parlamenti të zhvillonin një debat të thellë dhe serioz për paketat e mbështetjes ekonomike dhe sociale për mbi 250 mijë familje, në nevojë të madhe për të ardhura bazike për ushqim. Janë dhjetra mijëra të papunë, ku vetëm një pjesë e vogël ka marrë pagën e luftës siç e ka cilësuar Rama.

Përshembull në mëshirë të qëverisë janë punëtorët e fasonerive të cilat duhet të ishin mbyllur sa më parë dhe jo të ishin kthyer vatra të nxehta të epidemisë. 70 mijë gra e vajza janë një burim i rrezikshëm për përhapjen e virusit, minimalisht për familjet e tyre por dhe në komunitet ku jetojnë. Asgjë nuk është bërë e ditur për jëtën e tyre si në aspektin e analizave për tampon ashtu edhe për ekonominë e mbijetesës së familjeve të tyre. Qeveria flet për jahte dhe investime luksi, a thua se jetojmë në vendet nordike.

A shikoni ju një lloj menaxhimi të krizës përmes propagandës, një lloj centralizimi të informacionit që vjen si rezultat edhe i centralizimit të spitalizimit paralelisht? PD-ja thotë se shifrat e të prekurëve janë më të larta sesa ato që deklaron Ministria, e shihni ju?

Është një ekzagjerim, në kufijtë e talljes, njoftimet e orareve të lëvizjeve, çdo herë vetëm nga Rama dhe askush tjetër nuk guxon të flasë në emër të qeverisë  për planin e  masave. Në çdo vend të zhvilluar kryeminsitrat apo presidentët kanë folur rrallë dhe ftohtë, pa eufori pa terminologji lufte dhe terrori për shoqëritë. Hapësirat publike dhe mediatike në Perëndim i kanë zënë ekspertët e epidemiologjisë, shëndetësisë dhe të cdo sektori tjetër publik e privat që është prekur nga pandemia e Covid-19. Na mungon zëri i ekspertëve të pavarur dhe profesionistë. Sigurisht që numri i të sëmurëve dhe mbartësve është shumë më i lartë nga shifrat zyrtare të ministrisë së shëndetësisë dhe mendoj se diagnostfikimi me tampone, veçanërisht sa më parë në zonat e nxehta është rruga më e duhur për një izolim të efektshëm të epidemies.

Intervistoi: Redjon Shtylla /Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.