Manastirliu: Lëvizja për qytetarët shkon në 2 orë, ja bizneset që lejohen të hapen

0 319

Edhe pse vendi vijon të jenë në Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, duket se masat e rrepta të qeverisë në lidhje me Covid-19 janë duke u lehtësuar. Kështu, nisur nga kjo e hënë, fasha e lëvizjes për qytetarët do të zgjerohet nga 90 minuta në 2 orë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një komunikimi me publikun, ka njoftuar strategjinë e ri-hapjes graduale, duke filluar nga dita e hënë.

“Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtuar parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”.

Nga ana a tjetër, ministrja e Shëndetësisë ka bërë të ditur edhe kategoritë e bizneseve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre duke respektuar protokollet e miratuara që janë të publikuara në e-albania. Të hënën në datë 27 prill do të lejohen të ushtrojne aktivitetet nga ora 05:00-17:30 bizneset si: dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara, shërbimi taxi, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.
“Keto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno-sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve”.

Duke ritheksuar se nga dita e hënë do të fillojë lehtësimet e posatçme në “zonat e gjelbëra”, Manastirliu ka bërë të ditur se do të ketë fasha orare të lëvizjes të përcaktuara për të moshuarit, për qytetarët që shkojnë në punë apo lëvizin me automjete, por në çdo rast duke shmangur grumbullimet. Janë klasifikuar si zona të gjelbërta ato qarqe apo bashki të cilat rezultojne deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga COVID19: Qarku Dibër; Qarku Gjirokastër, Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq; Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd si dhe Bashkia Divjakë.

“Në zonat e gjelbërta lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person. Në zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë ne hapesirat publike. Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer”, tha Manastirliu. Duke e vlerësuar situatën si dinamike, ministrja tha se çdo hap do të ndërmerret me përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.