Në një kohë që kufijtë nuk janë ende të hapur dhe ka kufizime të lëvizjes, ka shqiptarë që kanë thyer rregullat. 19 shtetas shqiptarë që kishin thyer rregullat e lëvizjes në BE, apo kishin kërkuar azil të parregullt në Gjermani janë riatdhesuar këtë të hënë. Ministria e Brendshme bën me dije se riatdhesimi i tyre është bërë i mundur me një fluturim të posaçëm.
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda thotë se riatdhesime të reja do të kryhen në ditët në vijim, ndërsa do merren masa të reja kundër azilkërkimit dhe kundër abuzimit me lirinë e lëvizjes. ”Edhe pse në kohë të vështira pandemie po mundohemi të gjejmë mënyra për ndërgjegjësimin e qytetarëve në projekte të ndryshme për t’i thënë qytetarit shqiptar, stop udhëtimit të paligjshëm. Ministria e Brendshme ndër të tjera bën me dije se lëvizja e lirë nuk duhet të keqpërdoret, sidomos në kushtet e pandemisë”.
Po këtë të hënë nëpërmjet aeroportit të Rinasit janë ekstraduar 3 persona me qëllim për tu përballur me drejtësinë shqiptare. Ata janë ekstraduar dy nga Belgjika dhe një nga Italia pasi rezultojnë të dënuar për vrasje dhe shitblerje armësh të ftohta.