Gara për kreun e ri të SPAK, Kim: Procesi s’duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar

0 142

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka përcjellë një mesazh për kreun e ri të SPAK, i cili sipas saj duhet të luftojë korrupsionin e krimin pa u frikësuar dhe pa u ndikuar.

Kim përmes një postimi në Twitter thekson se drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit dhe institucionet duhet të jenë të pavarura.
Sipas diplomates amerikane, SHBA-ja mbështet reformën në drejtësi dhe do të monitorojë nga afër procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK që pritet të mbahet më 16 dhjetor.

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkruani Kim në Twitter.

Kandidatët që garojnë për postin e kreut të SPAK janë prokurorët e posaçëm, Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.

Leave A Reply

Your email address will not be published.