Epidemiologu: Në disa zona në Tiranë, imuniteti i tufës është në arritje e sipër

0 298

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, thotë se në disa zona në Tiranë, imuniteti i tufës është në arritje e sipër dhe këtë e komentoi si një faktor që ka ndikuar në rënien e rasteve të reja.

”Duket se në disa grupmosha të caktuara dhe në disa zona të caktuara, imuniteti i tufës është në arritje e sipër. Përgjithësisht, janë mosha të reja dhe disa zona të caktuara në Tiranë. Automatikisht, kjo sjell edhe ulje të rasteve të reja. Megjithatë, nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë, pasi nuk ka një studim në Shqipëri, por duhet bërë patjetër. E dyta, shohim rënie drastike të pozitivitetit të testimeve”, tha Alimehmeti.

Sa i përket variantit të ri të Covid-19, i cili u evidentua për herë të parë në Britani, epidemiologu pohon se lajmi i mirë është se deri tani nuk kemi riinfektime të personave që e kanë kaluar koronavirusin.

“Skuadrat angleze janë goxha të forta në këtë hetim që po bëjnë. Megjithatë, ne i bazohemi vëzhgimeve. Fakti është se ka nisur atje në shtator dhe tashmë jemi në dhjetor dhe kjo është shqetësuese. Nuk ka pasur klinikë më të keqe, nuk pati vdekshmëri më të madhe. Pas njoftimit u mbyllën shtetet, por me vonesë. Komunikimi është pikë shumë kyçe. Varianti nuk bën ndonjë çudi. Aktualisht, po studiohet nëse vaksina do të jetë efektive ndaj këtij varianti. Deri në këtë moment, nuk kemi riinfektime me variantin e ri të personave që e kanë kaluar koronavirusin dhe kjo tregon se nuk kanë shumë ndryshim”, tha Alimehmeti.

Leave A Reply

Your email address will not be published.