Dëshpërimi i një plaku gërnjar që nuk e pranon familja e tij

0 42

Nga Mero Baze

Ka gati një muaj që Enkelejd Alibeaj është nën agresion nga grupi i Berishës për t’u zëvendësuar me Ervin Salianjin, nën motivacionin se bashkëpunon me Edi Ramën. Edhe pse banal, diskursi i Berishës i drejtohej PD, me shpresë se do të ngjallte brenda saj reaksion duke e besuar atë.

Për këtë përdori dhe disa manovra politike brenda grupit, në përpjekje për të joshur deputetë të firmosnin kundër Alibeajt.

Pas gjithë këtyre përpjekjeve, Sali Berisha jo vetëm që nuk fitoi dot asnjë deputet, por me fillimin e sesionit humbi dhe një tjetër.

Deputeti i Vlorës, Veizaj, dha dorëheqje duke i hapur rrugën një deputeti të ri që u deklarua pro PD-së zyrtare.

Natyrisht po të flisnim me gjuhën e Berishës, do thoshim se Edi Rama e mundi Berishën dhe këtë radhë. Por duke qenë njerëz normalë, duhet të themi atë që është e vërtetë.

Dhe e vërteta është që Berisha nuk bind dot më askënd në PD me broçkullat që thotë. Madje as ushtarët e vet tru shpëlarë. Dhe ata janë të qartë që beteja e tij kundër PD-së zyrtare është që të mund të marrë nën kontroll grupin parlamentar.

Është kjo arsyeja që ai e thelloi dështimin me gjithë agresionin e tij një mujor kundër PD dhe poshtërimit që ju bë duke i rënë në gjunjë Salianjit, vetëm që të merrte grupin parlamentar.

Por siç e dëshmoi dhe sot, nuk ja doli dot. Nuk bindi dot askënd brenda PD, që ta motivonte për luftën e tij personale.

Përkundrazi, duke ngjallur dëshpërim, ai po largon nga Kuvendi deputetë të rinj, të cilët u përfshinë në politikë me ambicie të tjera.

Rasti i largimit të Fajton Veizaj, thjesht si bezdi nga ajo që ndodh në PD, është gjendja reale që ka krijuar Sali Berisha në atë parti.

Një plak gërnjar që u ka mërzitur jetën popullit opozitar, që duhet të përjetojë dramën e tij personale dhe familjare si dramë politike të PD.

E vërteta e hidhur për Berishën sot është pikërisht se PD dhe deputetët e saj nuk i dhanë leje të uzurponte PD dhe grupin e saj. Madje atij më lehtë i jep leje kryetarja e Kuvendit të zaptojë foltoren, se sa PD.

Duket që të vetmit që “mendojnë” për të mirën e tij janë socialistët. Ata së paku e bëjnë të ndjehet i gjallë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.