Çmimi i karburanteve, Rama thërret furnizuesit: Kohë lufte. Nuk ka fitim për ju

0 225

Në Shqipëri, qeveria i komunikoi sot furnizuesve të karburantit synimin e saj për të ndërhyrë me urgjencë në kontrollin e çmimeve të tregtimit të naftës, gazit dhe benzinës në vend, për shkak të situatës së paprecedentë të krijuar si pasojë e luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve në tregjet botërore. “Brenda 24 orësh do të kalojmë një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizmit së bashku me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria, ministrja e Financave, e Infrastrukturës, drejtori i Tatimeve, i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju, dhe nuk do të ketë asnjë tabelë, në asnjë pikë karburanti, të një çmimi që nuk është miratuar nga bordi. Kush e bën do të humbasë pikën e karburantit”, u bëri të ditur kryeministri Rama furnizuesve të karburantit gjatë takimit që pati me ta në selinë e qeverisë, në prani dhe të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministres së Financave Delina Ibrahimaj.
Kryeministri theksoi se për asnjë arsye tjetër vec asaj të një situate të jashtëzakonshme si kjo e tanishmja ai nuk do kishte ndërmarrë një takim të tillë, por faktikisht, u shpreh ai, lufta ka ardhur me faturën e cmimit të energjisë, naftës dhe ndkimin në të gjitha çmimet. “Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar e për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, të tjerët barrën e tyre. Se kjo është një luftë. Nuk mund të ndodhë që ju të fitoni asgjë më shumë, se sa ju duhet që të vazhdoni të ndihmoni popullin shqiptar”, – tha zoti Rama.
Niveli i lartë i çmimeve përkthehet dhe në arkëtime më të larta në buxhetin e shtetit për shkak të taksave. Kryeministri Edi Rama u shpreh se “të ardhurat plus për shkak të rritjes së çmimit do i kthejmë përsëri te ata që janë më në nevojë sot, fermerët dhe ata që përdorin transportin publik”.
Brenda një kohe të shkurtër, çmimet e karburantit në Shqipëri u rritën me më shumë se 60 lekë, ose mbi 30 përqind, duke kapur pikun të mërkurën kur një litër naftë shkoi gati 2.2 euro, një ndër çmimet më të shtrenjta në Europë. Në dy ditët e fundit, çmimet u ulën me më shumë se 40 lekë për litër, edhe si pasojë e rënies në tregjet ndërkombëtare.
Kryeministri shpjegoi se “do të bëjmë transparencën e çmimit në mënyrë të përditshme, që qytetarët të shohin se çdo qindarkë është aty për arsye të vazhdimit normal të punës”.
Furnizuesit e karburanteve nuk patën mundësi të shpreheshin gjatë takimit. Drejtuesi i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, i tha më vonë Zërit të Amerikës, se nga njëra anë ata janë në favor të transparencës “që gjithkush ta kuptojë se si përcaktohet çmimi i karburantit”. Por anga ana tjetër ai e cilësoi si “anormale ndërhyrjen e qeverisë për caktimin e çmimit”, për më tepër që sipas tij është një proces i ndërlikuar pasi “jo të gjithë e marrin me të njejtin çmim dhe çmimi ndryshon nga njëra pikë në tjetrën për shkak të kostove të ndryshme”. Në të gjithë vendin janë 1500 njësi të tregtimit të karburantit.
Furnizuesit e karburanteve do të duhet të dëshmojnë brenda 24 orëve se kanë respektuar edhe detyrimin për të mbajtur rezerva të barazvlefshme për 3 muaj furnizim. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku paralajmëroi se nga nesër do të nisin kontrollet për të verifikuar nëse ky detyrim është respektuar ose jo. Por sipas zotit Aliaj, ky është një detyrim që respektohet dhe se të paktën një herë në muaj, autoritetet kryejnë inspektime për këtë.
Qeveria e paralajmëroi që mbrëmë këtë ndërhyrje. Kryeministri shpjegoi dhe sot se kjo masë bëhet e detyrueshme për shkak se “vendi po përballet me pasojat e një lufte që ka nisur në Europë, Nuk e kemi nisur ne, as e ndalojmë dhe as e dimë sa do zgjasë, por faktikisht lufta ka ardhur me faturën e çmimit të energjisë, naftës dhe ndikimin në të gjitha çmimet e tjera”. Në sektorin e energjisë elektrike, qeveria shqiptare është angazhuar të mbajë të pandryshuar çmimin, duke mbuluar nga buxheti i shtetit, diferencën e thellë mes çmimit që sigurohet sot në tregje dhe atij me të cilin i ofrohet sot konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla. “Nëse çmimi i energjisë do të jetë ky që është sot, nga 52 euro në 550 euro për megawat orë, ne do të na duhen 640 mln dollarë ekstra deri në fund të vitit, e barabartë me një eurobond”, – deklaroi zoti Rama.
Rritja e çmimeve ka provokuar protesta të shumta të cilat dje u shtrinë thuajse në të gjithë vendin, ndërsa të tjera janë zhvilluar dhe gjatë ditës së sotme. Në Tiranë protestuan shoferët e taksive, ndërsa një tjetër manifestim u organizua nga studentët. Protesta ka patur dhe në disa qytete të vendit.
Në shumë raste ato janë shoqëruar me bllokime rrugësh, të cilat janë pasuar me ndërhyrjen e policisë. Mbrëmë në Tiranë nuk munguan dhe momentet e tensionit mes forcave të Rendit dhe grupeve të të rinjve që kishin bllokuar akset kryesore në qendër të kryeqytetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.