Karriera artistike ndoshta ende e vlerëson, por ajo si biznesmen mund të jetë mbyllur për një kohë të gjatë për reperin dhe producentin Kanye West.
Artisti amerikan, që dëshiron së fundmi të quhet YE, është braktisur nga gjiganti i veshjeve sportive Adidas me të cilin prej vitesh kishte një bashkëpunim të frytshëm nën markën Yeezy, që e kishte shndërruar 45-vjeçarin nga Atlanta në një nga personazhet më të pasura të showbizit.
Arsyet e këtij divorci janë po të njëjtat, deklaratat gjithmonë e më ekstreme të artistit, që kanë kulmuar së fundmi në një sulm të paprecedentë ndaj hebrenjve, veçanërisht mediat që sipas tij kontrollohen nga lobingu i tyre. Pozicione radikale West ka mbajtur publikisht edhe kundër lëvizjes Black Lives Matter, duke veshur në mënyrë provokuese një bluzë ku shkruhej “White Lives Matter”.
Gjermanët e Adidas ishin distancuar që nga ky episod, por tashmë kanë zyrtarizuar një vendim që në fakt i shkakton një humbje të përllogaritur deri në 250 milionë dollarë.
“Fjalët dhe veprimet e fundit të Ye janë të papranueshme, plot urrejtje dhe të rrezikshme, kundër çdo vlere të kompanisë që synon pluralizmin dhe përfshirjen sociale”, shkruhet në deklaratën e kompanisë.
Pas polemikave mbi deklaratat e tij kundër hebrenjve, që solli edhe pezullimin e profilit të tij në Twitter dhe Instagram dhe braktisjen e partnerit JP Morgan, West ka deklaruar se do të blinte një tjetër platformë të rrjeteve sociale, e quajtur Parler, e njohur si platforma e diskutimit për të djathtën ekstreme.