40 vrasje në 9 muaj, as Covid-19 nuk frenon krimin në Shqipëri

0 298

Jetojmë prej muajsh të mbërthyer nga pandemia e Covid-19, por normaliteti në Shqipëri vijon. Edhe më shumë se çdo vit, fatkeqësisht përgjatë 2020 janë shënuar krime dhe ekzekutime të frikshme. Krimi në Shqipëri është sofistikuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ekspertët e kriminalistikës bëjnë të ditur se në 40 vrasjet e deritanishme të ndodhura përgjatë 9 muajve të vitit 2020, një pjesë e tyre janë me stil mafioz, ose nga vrasës të paguar.

Prej javësh Elbasani është kthyer në kryefjalë e të gjitha lajmeve të ditës. Krime të rënda që kanë lidhje mes tyre kanë rikthyer jo vetëm pasigurinë, por edhe një gjallërim të bandave, duke e kthyer këtë qytet të Shqipërisë së Mesme në kryeqendrën e krimit të organizuar. Në hartë pas Elbasanit janë Durrësi, Shkodra, Tirana e Vlora.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosje e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota u izoluara për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid-19, u regjistruan 24 vrasje. Grupet kriminale kishin kohën në favor të tyre, që të mendonin për metodat të cilat kanë rezultuar më të sofistikuara. Mbi të gjitha autoritetet janë larg zbardhjes të së vërtetës. Shqipëria renditet e treta në Europë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë.

Numri më i lartë i viktimave nga vrasjet në 5 vitet e fundit është shënuar në 2016-n, me 99 humbje jete, duke zbritur në 68 përkatësisht në 2017 dhe 2018. Kurse në 2019 u vranë 75 persona. Vrasjet me dashje, në 58 në 2019 nga 51 në 2018, kanë shënuar nivelin më të lartë nga 2016. Opozita thotë se Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot, prandaj sipas saj Shqipëria ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri që për ta është peng i krimit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.