20 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë, SPAK hap hetimet

0 433

SPAK bën me dije se ka nisur hetimet për 20 ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të ndryshme të vendit. Hetimet kanë nisur pasi Fran Dashi ka kallëzuar në SPAK këta 20 shtetas me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokuror pranë gjykatave të Shkallës së Parë, Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe prokurorive te ndryshme.

Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këta funksionarë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja. Kallëzimi i regjistruar në datën 28.04.2020, i akuzon për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6,180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjithë subjektet e kallëzuar janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

Nisur nga kjo është ndarë materiali kallëzues në ngarkim 10 të subjekteve, duke ia dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive kompetente në lëndë dhe territor, e pikërisht Prokurorive Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Për 10 subjekte me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar procedimi penal Nr.137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Leave A Reply

Your email address will not be published.