Lëvizja Vetëvendosje është në proces të finalizimit të listës së kandidatëve për deputetë. Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu ka treguar se janë në proces të votimit të kandidaturave brenda organeve të partisë, pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme për kandidatë për deputetë. ”Në fillim të javës kemi shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë. Tash jemi në proces të votimit të kandidaturave brenda organeve tona, përkatësisht Këshillet e Qendrave. Sipas Statutit të Lëvizjes Vetëvendosje të zgjedhurit nga Këshillet e Qendrave do të përbëjnë ½ e listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje”,-ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se pjesa tjetër e listës do të plotësohet nga Kryesia dhe kryetari i Lëvizjes. I pyetur se a do të jetë bartës i listës kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Kryeziu ka thënë se asgjë nuk ia mohon Kurtit që të kandidojë.
”Ne jemi brenda së drejtës sonë absolute që në listën e kandidatëve tanë për deputetë të përfshijmë kryetarin Kurti edhe anëtaren tonë të Kryesisë, znj. Haxhiu. Pavarësisht mjegullës së qëllimshme në debatin publik mbi pasojat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ai në fakt nuk përbën asnjë mohim të së drejtës për t’u zgjedhur, përkatësisht të kandidimit në listën zgjedhore të z. Kurti dhe znj. Haxhiu, për disa arsye. Së pari, sepse rastet e tyre nuk ishin objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese. Së dyti, sepse ata nuk kanë qenë të dënuar me burg ashtu që të tërhiqet paralelja me rastin e Etem Arifit, por kanë qenë të dënuar me kusht, pra dënim alternativ, për çka Kodi Penal nuk parashihte pasoja juridike”,-bëri me dije zëdhënësi i VV-së.