Vrau kushëririn e kryebashkiakut të Himarës. Prokuroria: 30 vjet burgim për Kliti Lekën

0 165

Prokuroria e Vlorës kërkon dënimin me 30 vjet burgim për Kliti Lekën, i akuzuar për vrasjen e Nikollaq Goron, një i afërm i kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, ngjarje e ndodhur në Tetor 2020 në qytezë, pas një mosmarrëveshjeje për një investim në bregdet.

Në rast se shpallet fajtor, Leka do të përfitojë uljen me 1/3 e dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Mesditën e kësaj të Marte (22 Shkurt), prokurori i çështjes, Arjan Xhaferraj, i paraqiti gjykatës konkluzionet përfundimtare, duke rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes që tronditi qytezën në breg të Jonit.

Si ndodhi vrasja

Në 15 Tetor 2020, 55-vjeçari Kliti Leka me banim në Tiranë, udhëton drejt Himarës me një automjet me qera. Qëndron për dy ditë në një dhomë me pagesë.

Dy ditë më pas, në 17 Tetor, ai del herët në mëngjes nga dhoma me qera. Pranë qendrës spitalore të Himarës, ai konstaton makinën e Nikollaq Goros.

E ndjek nga pas deri në hyrje të Himarës, para një marketi në pronësi të motrës së Goros.

Sapo ky i fundit zbret nga makina, ai gjendet nën plumbat e një pistolete, të qëlluara nga Kliti Leka. Në momentin e të shtënave, në hyrjen e marketit shfaqet motra e viktimës, E.Qesku, e cila i lutet agresorit që të mos e qëlloi vëllain e saj.

Autori i qëllon edhe zonjës Qesku, duke e plagosur me plumb në këmbë. Më pas, ai rikthehet sërish tek objektivi i atentatit, të cilin e qëllon edhe njëherë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas atentatit, autori, Kliti Leka, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të zonën bregdetare të quajtur ‘Livadh”. Në atë zonë ai parkon makinën, hedh çelësat në det dhe fshihet në një hapësirë me shkurre.

Ndërkohë, policia, e cila kishte nisur ndjekjen e tij, e gjen pranë zonës së njohur si ish-Prozhektori. Sapo u afruan punonjësit e policisë, Leka i drejtohet me fjalët se “nuk kishte punë me ta”.

Më pas, ai detyrohet të ulë pistoletën që mbante në dorë dhe çantën që mbante në krah. Brenda kësaj çante, policia gjeti edhe një automatik kallashnikov, si edhe një numër të konsiderueshëm plumbash.

Pse ndodhi vrasja

Pas arrestimit, Kliti Leka u pyet nga prokuroria për motivin e vrasjes.

Ai ka shpjeguar se motivi i kryerjes së vrasjes, është fakti që me viktimën Nikollaq Goro ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme, të cilat sipas tij kanë vazhduar për një periudhë prej 2-vjetësh.

Këto mosmarrëveshje kanë lindur për shkak të një sipërfaqe toke prej 2650m2, mbi të cilën ai ka të drejta pronësie.

Autori Kliti Leka ka shpjeguar se Nikollaqi, i cili kishte ndërtuar një objekt në këtë truall, nuk po përmbushte detyrimin kontraktual për dhënien e sipërfaqeve takuese në masën 28% te sipërfaqes ndërtimore.

Ai po ashtu ka shpjeguar se pas përfundimit të pallatit, shtetasi Nikollaq Goro ka refuzuar të dorëzojë pjesën takuese dhe për kete arsye ai është ndjerë i mashtruar prej tij.

Leave A Reply

Your email address will not be published.