Vizitën e kryeministrit Edi Rama në familjen e Klodian Rashës, i vrarë nga Policia e Shtetit, kreu i PD-së, Lulzim Basha e sheh si një kthim në vendin e krimit, teksa hodhi akuza se ka pasur qëllime për ta manipuluar si ngjarje, prandaj reagoi 3 ditë me vonesë.
“Kthehet ditë për ditë te vendi i krimit, siç kthehen ata që janë bërë pjesë e krimit me neglizhencën dhe poshtërimin të gjakut të viktimës. 3 ditë rrugëve të Nju Jork në dyqanet më luksoze dhe nuk gjeti një minutë kohë për të ngushëlluar familjen e Klodian Rashës, ndërsa tani kthehet ditë për ditë te vendi i krimit. Një ditë më shumë se 25 prilli të qëndrojë, do të rrezikojë edhe lëvizja e lirë e shqiptarëve, harrojeni më integrimit. Gjuha e tij e urrejtjes nxit reagimet më negative te shqiptarët. Asnjë ndjeshmëri për vrasjen e të riut. Tre ditë heshtje, sepse mendoi se do ta manipulonte edhe këtë ngjarje. Komunikatat e policisë për dy ditë u munduan të fajësonin viktimën. Dhe Edi Rama do vazhdonte të heshtte. Ai është gati të shesë këdo për të shpëtuar lëkurën e tij, ndaj e shiti Sandër Lleshajn. Jo se reflektoi. Edhe po të shkojë 5 herë në ditë te familja e Rashës, thjesht iu tregon shqiptarëve sa i pandjeshëm është”, tha Basha gjatë konferencës me gazetarët.