Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi deklaroi sot se primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.
Vokshi tha se çdo qytetar mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton.
“Ajo që unë dua të theksoj është fakti që primaret janë një process gjithëpërfshirës. Është risi. Për herë të parë është aplikuar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet. Por tashmë primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike. Ato jo vetëm nuk lënë jashtë askënd, por kushdo që beson që ka mbështetje në elektoratin opozitar, por jo vetëm, mund të kandidojë sipas rregullave të caktuara që ne do t’i shpjegojmë edhe sot. Çdo qytetar që beson se vota e tij vlen mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton”, u shpreh Vokshi.