Ulsi Manja kërkon shkrirjen e Kadastrës së Durrësit

0 138

Në daljen e parë mediatike për këtë vit mbi rezultatet e Drejtorisë Antikorrupsion, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja denoncoi shkeljet me legalizimet që sipas tij ndodhin në Kadastrën e Durrësit dhe Sarandës.

Për të parën, ai tha se ka kërkuar shkrirjen fare si drejtori.

“Kadastra e Durrësit. Kemi referuar shkrirjen e kësaj drejtorie. Janë 215 dosje legalizmesh objektesh për periudhën gusht-tetor 2021. Në dosje mungonin dokumentacionet më të rëndësishme që kërkon ligji, praktikë punë abuzive dhe korruptive. Është guxim i madh, një zyrë e gjitha në shkelje nga drejtori te specialistët të sinkronizuar në të gjitha proceset e punës. Rasti tjetër që do referojmë në prokurori sot është Kadastra Sarandë. Janë dy raste që u përkasin shtetasve P.D dhe R.D, nuk kanë lidhje gjaku, për të cilat është kallëzuar ish-drejtori dhe ish-përgjegjësi i sektorit të ALUIZNI-t Sarandë. Pavarësisht vendimit të gjykatës për pezullimin e procesit të legalizimit, Kadastra ka vijuar me legalizimin e objektit dhe pajisjen me vlerën përkatëse. Të dy objektet janë legalizuar. Kemi disa praktika të tjera që po hetohen”, tha Manja.

Ai shtoi se janë 611 dosje raste dhe praktika për 20 agjenci që po trajtohen nga Drejtoria Antikorrupsion.

“Korrupsioni ka vetëm ngjyrën e zezë dhe cilido zyrtar publik duhet të përgjigjet penalisht kur shkel ligjin penal dhe në rrugë administrative nëse shkel ligjin në mënyrë permante”, tha Manja.

Ai komentoi edhe raportin e “Transparency International” mbi korrupsionin në Shqipëri.

“Kemi filluar ti studiojmë me hollësi të gjitha gjetjet. Raportin e kemi marrë sot, po e hetojmë me të gjithë treguesit. E konsiderojmë ndihmë në punën tonë. E kemi detyrim për ta bërë Shqipërinë një mjedis ku shteti i ofron shërbimet publike në mënyrë sa më cilësore dhe me standarde. Ku futen elementë të korrupsionit kemi cënim të standardeve. Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të ketë sukses nëse nuk bashkëpunojmë dhe ndërveprojmë së bashku dhe ju si media që keni luajtur një rol thelbësor gjatë 2021”, tha Manja.

Leave A Reply

Your email address will not be published.