Transporti publik te Paketa e Rezistencës, reagon shoqata: Frymëmarrje afatshkurtër! Nuk do ketë tentativë për rritjen e çmimit të biletës
Vetëm lajm i mirë i dhënë nga qeveria nxiti operatorët e transportit publik të shtojnë me së paku 20% flotën e autobusëve në qarkullim për të shpresuar në normalizimin e situatës në përfundim të tre muajve.
Por në rast të kundërt, bisedimet kthehen në pikën zero, me mosndërhyrjen e qeverisë në kapërcimin e krizës në sektorin e transportit urban. Kreu i Shoqatës së Transportit, Dashnor Memaj, ndau dje reagimin pozitiv të operatorëve me përfshirjen në paketën e rezistencës sociale në tre muajt në vazhdim, ndërkohë që u shpreh i rezervuar për atë se çfarë do të ndodhë më tej. “Kjo paketë është e mjaftueshme për një periudhë afatshkurtër 3-mujore dhe shpresojmë të ndihmojë transportin dhe qytetarët për të pasur një shërbim më cilësor dhe të jemi në gjendje të operojmë me kapacitet të plotë dhe qytetarët të mos grumbullohen në stacione. Subvencioni e shpëton transportin për disa muaj”, deklaroi Memaj duke shtuar se në momentin që operatorët e transportit do të kenë në llogari masën e subvencionit, shoqata do të apelojë operatorët të nxjerrin të gjithë flotën e autobusëve në qarkullim. Me paralajmërimet e herëpashershme, ata përgjysmuan numrin e autobusëve duke lënë qytetarët në rrugë. Në mënyrë gjithashtu të paautorizuar, disa linja ndërqytetase apo rrethqytetase rritën çmimin e biletës, ndërkohë që prisnin sinjale ndihme nga qeveria.
ÇMIMI
Ajo që është e rëndësishme për qytetarët kryeqytetas sot lidhet me çmimin e biletës urbane, e cila do t’i rëndojë buxhetit të qeverisë, e jo xhepit të tyre. Këtë e tha qartë kreu i shoqatës së transportit. “Duke parë se kërkesat ekonomike nuk po plotësoheshin asnjëra nga pushteti vendor e lokal, rritja e biletës me 80 lekë ishte guri i fundit me të cilin menduam të shpëtojmë nga situata e krizës ku jemi.
Theksojmë se për këtë periudhë nuk do të ketë asnjë tentativë për rritje të çmimit të biletës, duke shpresuar që pas tre muajsh, çmimi i naftës të mos jetë në këto nivele dhe të vazhdojmë me kërkesën që qeveria të hartojë një politikë të mirëfilltë financiare për të kaluar krizën si sektor transporti. Në momentin që do të kemi plotësim, as nuk do të kërkojmë, as do ta rrisim çmimin e biletës”, nënvizoi Memaj.
Duke folur për kushtet e paligjshmërisë në të cilat kanë vepruar disa linja urbane që rritën në mënyrë të paautorizuar çmimin e biletës së udhëtimit, kreu i shoqatës së transportit urban u bëri thirrje operatorëve të mos përsërisin më të njëjtin gabim duke u kujtuar procedurën. “Rritja e çmimit në transportin ndërqytetas është bërë nga disa kompani, pa pasur informacionin e duhur. Çmimi nuk rritet nga operatorët, por del me një vendim të Këshillit të Ministrave, ministrive përgjegjëse në rastin e urbanëve me vendim të Këshillit Bashkiak. Ne nuk caktojmë, por zbatojmë çmimet e vendosura nga instancat përgjegjëse”.