Një tjetër pacient i prekur nga Covid-19 është vetëhedhur nga kati i katërt i spitalit Covid 2 (Shefqet Ndroqi), aty ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Preng Gjonaj u hodh në orën 03:10 të së dielës. Me origjinë nga Tropoja, mësohet se i ndjeri ishte shtruar në spital që prej datës 25 tetor. Ai qëndronte i vetëm në dhomën e tij, e cila ishte në katin e katërt, kat ky për të gjithë pacientët që janë në gjendje të rënduar shëndetësore nga Covid-19.
Drejtori i spitalit Shefqet Ndroqi, thotë se 52-vjeçari nuk kishte shfaqur shenja të rëndimit psikologjik. Mjeku pneumolog Perlat Kapisyzi, kërkoi që nga mediat të respektohet momenti i vështirë që po kalojnë familjarët dhe personeli shëndetësor. ”Është shtruar më datë 25 tetor dhe i është nënshtruar të gjithë ekzaminimeve sipas protokollit të trajtimit të pleomonisë sars cov 2. Në emër të spitalit i shprehim ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta familjes. Sipas të dhënave që kemi nga shtrimi dhe deri në momentin e fundit, pacienti nuk paraqiste ndryshime apo shenja psikologjike jo normale. Ky është një moment shumë i vështirë dhe do të kërkonim mbështetje për të vazhduar këtë luftë në shpëtim të jetëve të pacientëve”,-tha ai.
Më 13 gusht nga kati i katërt i këtij spitali u hodh Xhino Koça, 29-vjeçari nga Durrësi nga një familje e njohur në këtë qytet, i cili për pak ditë do të kthehej në shtëpi për shkak se gjendja e tij po stabilizohej. Hasan Mira, 65-vjeç, u hodh nga spitali “Shefqet Ndroqi më 2 shtator. Ai ishte shtruar në muajin gusht dhe ende nuk dihen arsyet se përse ndërmori aktin e rëndë.
Edhe sa pacientë do të vetëvriten? A ka marrë masa spitali Covid 2 që të parandojë të tilla ngjarje të rënda? Sa siguri ka në atë spital? Janë disa nga pyetjet pa përgjigje, ose përgjigjen e kanë tek tre vetërasjet, pra siguria është zero. Ajo që është përfolur vazhdimisht në media që prej fillimit të pandemisë është shkëputja e kontakteve me të afërmit të pacientëve në momentin që shtrohen në një spital Covid. Kjo për faktin se pacientëve nuk u lejohet asnjë lloj komunikimi me telefon dhe gjendja e tyre psikologjike nis të rëndohet.
Psikologia klinike, Aulona Ormeni thotë se vetëvrasjet në spitalin Covid 2 (Shefqet Ndroqi) i atribuohet ngarkimit psikologjik nën kushtet e rënduara nga sëmundja e Covid-19. Psikologia nënvizon se aktualisht nuk ka të dhëna domethënëse që të mund ta tregojnë qartë ndikimin direkt të sëmundjes me prirjen për vetëvrasje. ”Parashikimi i këtyre rasteve është i vështirë, pasi edhe të dhënat dhe studimet e deri tanishme nuk janë të mjaftueshme për të treguar nëse këta persona e kryejnë vetëvrasjen, apo përpiqen ta bëjnë atë, si rrjedhojë e Covid-19 apo prirja ka qenë aty e mbartur edhe më herët, ose ajo është e momentit nga mënyra se si trajtohet sëmundja”,- thotë ajo.