Ekipet e epidemiologëve të terrenit, do të kryejnë testet e shpejta për të dyshuarit me Covid-19, përgjigjën e së cilës do ta marrin brenda 30 minutave. Shpëtim Qyra, mjek mikrobiolog pranë Institutit të Shëndetit Publik, thotë për ”Agjencinë Telegrafike Shqiptare”, se fillimisht testimet do të kryhen nga epidemiologët në terren dhe pas datës 20 dhjetor do të ngrihen pika të posaçme në Tiranë për të kryer procedurën.
“Me punonjësit shëndetësorë të Tiranës është kryer trajnimi për testet e shpejta dhe këto do të quhen si trajnues për të tjerët në Tiranë. Pra, u procedua me trajnimin dhe me kriteret se kush do të testohet dhe sot kanë filluar epidemiologë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë në Tiranë, kanë filluar të testojnë. Testimi nuk bëhet me pika për momentin por kjo do të fillojë pas datës 20 në pika në Tiranë ku do të vendosen, por testimi vazhdon ashtu siç ka qenë nga epidemiologët. Pra, epidemiologët së bashku me stafin shkojnë dhe testojnë në terren. Pra, nuk është akoma në kushte tek qendrat shëndetësore’’, sqaroi Qyra.
Mjeku mikrobiolog shpjegoi po ashtu se testimi do të kryhet vetëm për ata persona që kanë shenja klinike të sëmundjes, e cila përcaktohet nga mjeku i familjes. ”Ky është një test diagnostik, që do të thotë se mjeku i familjes do të luajë rolin kryesor duke dyshuar për shenja klinike. Natyrisht do të vlerësojë nëse do të kryhet testi apo s’do të kryhet dhe do ta referojë në pikën më të afërt të testimit për të kryer testin. Nuk është një test që mund ta kryejë kushdo sepse nëse nuk ke disa kritere, nuk ke shenja klinike natyrisht që nuk mund të bëhet testi”, tha Qyra.
”Procedura e marrjes, përpunimit dhe dhënies së përgjigjes është goxha e shpejtë. Brenda 30 minutave jepet përgjigja për çdo individ”, u shpreh ai. Lidhur me sigurinë e testimeve të shpejta, Qyra u shpreh se siguria është e lartë. Sipas mjekut, ky testim tregon vetëm nëse qytetari është bartës ose jo i virusit.