Avokati i Emiljano Shullazit ka deklaruar se vendimi për zbatimin e regjimit “41-Bis” ndaj klientit të tij është një “operacion propagandistik”, duke shtuar se që të hënën ky urdhër do të kundërshtohet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
“SPAK-u, për të mbuluar impotencën dhe dështimin e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, së bashku me një Ministri Drejtësie të përgjumur, ndërmerr këtë operacion propagandistik për të bindur opinionin publik se krimi dhe korrupsioni po luftohet. Klienti im i është servirur opinionit si maja e krimit të organizuar dhe çështja kundër tij u konsiderua sukses i luftës kundër krimit. Por gjithçka ishte reklamë. Zgjedhja e Emiljano Shullazit për regjimin 41-Bis është selektive dhe në dhunim të parimit të prezumimit të pafajësisë”.
Sistemi “41 BIS”, një model italian, përfshin të dënuar për rreth 20 vepra të rënda penale, si ajo e akteve terroriste, apo krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Dhomat e izolimit në burgun 313 në Tiranë për të dënuarit VIP që do t’i nënshtrohen regjimit “41 BIS” ishin gati prej një viti. Tashmë aty janë vendosur 7 të burgosurit dhe paraburgosurit e parë. Ata janë Arbjon Aliko, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqa, Endrit Zela dhe Genci Balla.