Raporti i OKB: Shqipëria vendi kryesor i kanabisit. Shqiptarët kontrollojnë trafikun në Europë

0 293

Një raport i UNODC, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, thekson se Shqipëria është vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Europën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.

”Korrupsioni është një problem serioz, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe Vetting-un. Pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, thekson raporti.

Gjatë periudhës 2014-2018, Shqipëria u përmend nga shtetet e tjera europiane si “vendi kryesor i origjinës” të kanabisit që gjendet në tregjet e tyre, e ndjekur nga afër nga Holanda. Në Europën Perëndimore dhe Qendrore, 24% e të gjitha përmendjeve të vendeve kryesore të origjinës së barit të kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë ndërsa në Euopën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61% gjatë periudhës 2014-2018.

Raporti thotë se pas operacionit të suksesshëm në Lazarat në vitin 2014 u konstatua një rritje e çmimeve të kanabisit, (nga €200-300 për kg në 2014 në €1,300 – €2.000 për kg në 2015). Më pas u vu re një kultivim masiv në gjithë vendin, veçanërisht në 2016. Si rrjedhojë, një vit më pas, në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit (Për vitin 2017, Shqipëria kapi sasinë e tretë më të madhe të barit të kanabisit në Europë me 19% të totalit europian).

Konfiskimet e barit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018 (megjithëse Shqipëria u rendit e shtata për konfiskimet atë vit). Raporti e lidh këtë rënie dhe me uljen e çmimeve të barit të kanabisit që ranë në €100-400 për kg në 2016 dhe €150- 250 kg në 2017. Pas rënies së prodhimit, çmimet filluan të rriteshin sërish në 2018. (€200-700 për kg).

Grupet kriminale shqiptare fitojnë terren në gjithë Europën

Raporti thekson se grupet kriminale shqiptare kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera europiane vitet e fundit, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Zvicrën, Belgjikën dhe Austrinë. Në shumë raste, dërgesat e organizuara të kokainës nga grupet shqiptare të krimit të organizuar tani anashkalojnë plotësisht territorin e Shqipërisë. Grupet shqiptare të krimit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kanë vendosur kontroll dhe ndikim në të gjithë vendin në tregun e trafikut të drogës atje, veçanërisht atë i kokainës. Këta kriminelë të organizuar po krijojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënie me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine, duke ushtruar më shumë kontroll mbi tregjet, thuhet në raport.

Pak dënime për pastrim parash

Në vitin 2020, Task Forca e Veprimit Financiar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (FATF) përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri. Ndjekjet penale për pastrim parash në Shqipëri janë luhatur, nga 49 në 2013 në 112 në 2015 para se të bien në 62 në 2017. Dënimet për pastrim parash mbeten në nivele shumë të ulta, madje ranë nga 27 në 2017 në 14 në 2018. Përpjekjet joefikase kundër pastrimit të parave në të kaluarën mund të jenë një nga shpjegimet e mundshme të niveleve të ulëta të dënimit. /Ora News/

Leave A Reply

Your email address will not be published.